Projekti për rigjallërimin e Ish-Uzinës së Autotraktorëve, Rama: Fokusi në prodhimin ushtarak dhe krijimin e vendeve të punës

Tiranë – Kryeministri Edi Rama ishte sot i pranishëm në prezantimin e projektit për rigjallërimin e Ish-Uzina e Autotraktorëve, që shumë shpejt do të jetë në funksion të Industrisë Ushtarake për prodhimin e uniformave dhe montimin e mjeteve të blinduara, transportuesve të artilerisë, zjarrfikëseve dhe autoambulancave
Kreu i qeverisë shqiptare, tha se synimi është krijimi i një rrjeti të plotë të prodhimit në vend për nevojat e Forcave të Armatosura por edhe për eksport. Gjithashtu, tha kryesocialisti, do të fillojë investimi për prodhimin e veshjeve dhe uniformave ushtarake.
Kjo do të krijojë mundësi për hapjen e vendeve të reja të punës, sipas kreut të qeverisë. Rama shoqërohej nga ministri i Brendshëm Ervin Hoxha dhe ai i Mbrojtjes Pirro Vengu.
Rama: Këtu bëhet fjalë për një zhvillim pozitiv për Forcat tona të Armatosura, ekonominë dhe komunitetin këtu, pasi në kuadrin e rilindjes së industrisë ushtarake në Shqipëri ne kemi një sërë projektesh për rijetësimin e një infrastrukture të vjetër të mbetur jashtë funksionit. Synimi ynë është që të ndërtojmë një rrjet të plotë të prodhimit në vend për nevojat e FA, për nevojat e Forcave tona në Policisë, forcave zjarrfikëse por edhe për eksport.
Kjo do të bëjë që nga njëra anë rritja e përvitshme e buxhetit të mbrojtjes të shkojë për të stimuluar ekonominë tonë kombëtare. Nga ana tjetër përmes krijimit të këtyre hallkave të reja të krijohen vende të reja pune të mirëpaguara për teknik dhe ekspertë të nivelit të lartë. Përmes këtij procesi të stimulojmë edhe teknologjinë e inovacionit. Nga ana tjetër do të fillojmë edhe investimin për prodhimin e veshjeve, uniformave ushtarake dhe të policisë në vendin tonë, pasi edhe në këtë aspekt i kemi të gjitha mundësitë që të bëjmë prodhime të cilësisë shumë të lartë dhe të krijojmë vende pune. Nga ana tjetër të krijojmë një bazë prodhuese që mund t’i shërbejë edhe qëllimit të eksportit./vizionplus.tv




