Subscribe

Zonat bregdetare të Golemit, Kavajës dhe Malit të Robit do të kenë furnizim më të mirë me energji. Në prag të sezonit turistik, është gati investimi prej rreth 700 milion lekë, për rrjetin e ri elektrik me fidrat 20 kV. Për ministrin Damian Gjiknuri, investimet janë konkretizim i qasjes së qeverisë për përqendrimin e projekteve në ato zona që kanë impakt ekonomik.

 

“Kjo është një zonë turistike dhe po të shikoni, ky investim në energji ndikon drejtpërdrejt në përmirësimin e furnizimit këtu dhe patjetër në një cilësi më të mirë të shërbimeve turistike por dhe për vet banorët. Nga ana tjetër, dua të them se nuk është investimi i vetëm. Përveç investimit në energji elektrike, po të shikoni, këtu po investohet dhe rruga e re ndërsa po avancojnë investimet në ujin e pijshëm, ujërat e zeza dhe kanalizime. Të gjitha këto investime të qeverisë shqiptare bëjnë që kjo zonë të shfrytëzojë maksimumin e potencialit të saj. Këto nuk janë të vetmet por do të vazhdojnë megjithë vështirësitë që kemi trashëguar”.

 

Ndërkohë ministri i Financave Arben Ahmetaj, gjatë takimeve në Rrogozhinë, në kuadër të Turit të llogaridhënies publike, tha se Rruga Kashar-Rrogozhinë është investim kyç për zhvillimin e zonës.

 

“Kombinimi i përmirësimit të infrastrukturës, rrugë, ujësjellës dhe infrastruktura e bujqësisë, kanalet vaditëse dhe kulluese së bashku me agroindustrinë, agroturizmin dhe turizmin, i japin zonës një mundësi ekonomike, një të ardhme të sigurt, në mënyrë që të gjithë ata të rinj e të reja që kërkojnë punë të mos i referohem vetëm shtetit, por të fokusohen tek puna private, tek puna e bazuar tek profesionet, zejet dhe sigurisht që të rrisin mirëqenien e tyre familjare dhe komunitare”.

 

Ahmetaj theksoi se prioriteti i qeverisë është punësimi. Sipas tij, aktualisht në Shqipëri janë rreth 18 mijë vende të lira pune.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *