Partia Demokratike nisi prezantimin e programit elektoral, duke u ndalur në fillim tek një prej sektorëve më të rëndësishëm, shëndetësia.
Kryetari i PD, Sali Berisha, solli në vëmendje se socialistet erdhën në pushtet me premtimin për të siguruar shërbim mjekësor pa pagesë për shqiptarët dhe pas 12 vitesh e shndërruan shëndetësinë në shërbimin më të shtrenjtë për qytetarët.
“Dy faktorë e shkatërruan sistemin. Korrupsioni dhe keqfinancimi, keqmenaxhimi. Korrupsioni nga njëra anë, vidh si Tenargjia në fushëbetejën e Vaterlosë. Dhe keqfinancimi, dhe ato që financon, mbi 300 milionë i morën me PPP-të e famshme të Edi Ramës. Ilir Beqaj u shpall kryetar i organizatës kriminale. Nuk është Ilir Beqaj kryetar, kryetar është Edi Rama,” tha Berisha.
Ish-kryeministri Sali Berisha premtoi se PD do të godasë së pari korrupsionin, duke riorganizuar Ministrinë e Shëndetësisë, riorganizimin e shërbimit parësor, të QSUT-së dhe krijimin e sigurimeve private shoqërore. Ai shtoi se do të rriten pagat e mjekëve dhe infermierëve.
“Gjendjen aktuale të sistemit shëndetësor ne e konsiderojmë emergjencë. Sot, 2.1 përqind e GDP-së shkon për shëndetësinë. Do të rritet që vitin e parë në 3 përqind, me synimin e prerë që brenda mandatit të dalë mbi mesataren e rajonit si financim.”
Berisha premtoi se asnjë ilaç që nuk është certifikuar nga BE dhe SHBA nuk do të hyjë në Shqipëri.
“Nuk do të futen në Shqipëri ilaçe që nuk kanë certifikimin e institucioneve më prestigjioze ndërkombëtare evropiane dhe amerikane për përdorimin e tyre dhe që nuk shiten më parë se të hyjnë në Shqipëri në të paktën dy vende anëtare të BE.”
Berisha premtoi se qeveria e PD do të rimbursojë ilaçet në masën 90% për të mos lënë askënd të rrezikojë të mos blejë barnat e nevojshme.