Subscribe

Kryeministri Edi Rama ka deklaruar se qeveria synon të fusë produktet bujqësore shqiptare në tregjet e Lindjes së Mesme dhe në Afrike. Gjatë një vizite në panairin e bujqësisë, shefi i qeverisë ka shpjeguar se fermerët shqiptarë duhet të synojnë tregje të reja për produktet e tyre.

 

“Do bëjmë një katalog të të gjitha produkteve tona të eksportit dhe kemi bërë një plan për t’i shtrirë në disa tregje që janë shumë interesante, por që nuk kemi akses akoma, qoftë në Lindjen e Mesme, qoftë në Afrikë. Do shkojmë të bëjmë një xhiro promovuese, e kemi zgjidhur në nivelin e lartë politik, tani duhet ta zgjidhim në nivelin teknik. Problemi është që ju po eksportoni kaq shumë, dhe shumë njerëz nuk e dinë dhe thonë bujqësia ka vdekur.”

 

Shefi i qeverisë shfrytëzoi vizitën në panair për të dhënë një mesazh për të gjithë qytetarët për të konsumuar mishin e pulës, pasi gripi që i ka prekur ato nuk është i dëmshëm për shëndetin.

 

“Duhet të kishit vënë një zgarë këtu që të haja unë dhe njerëzit të kuptonin që nuk ka lidhje gripi i pulave me ushqimin.”

 

Ndërkaq, një ditë më parë, lideri i mazhorancës shpjegoi se bujqësia është prioritet për qeverinë dhe për të ilustruar këtë, Rama lajmëroi zhvillimin e një kongresi të posaçëm për bujqësinë në maj ose në qershor, ku do të ftohen të gjithë aktorët e sektorit, ekspertët, studentët, pedagogët e universitetit, ekspertë të huaj me të gjitha temat e zinxhirit të bujqësisë.

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *