Komisioni i Pavarur i Kualifikimit ka shkarkuar nga detyra Prokurorin e Tiranës Julian Xhengo.

 

Prokurori i shkarkuar për problemet me pasurinë dhe pastërtinë e figurës.

 

Seanca dëgjimore për Xhengon u zhvillua nga trupa gjykuese e përbërë nga Olsi Komici, Xhensila Pine, Firdes Shuli në datën 9 shtator.

 

Gjatë seancës dëgjimore, Xhengo u përball me një bilanc negativ të prindërve në investimet e kryera në një shtëpi private në Tiranë si dhe me mospërputhjet në transaksionet për blerjen e një makine, thuajse dy herë më lirë nga sa e kishte blerë pala shitëse.

 

Xhengo kundërshtoi në seancë gjetjet e Komisionit për pasurinë; një raport negativ të Drejtorisë së Sigurimit të Informacionit të Klasifikuar DSIK si dhe konstatimet për shtyrje të hetimeve dhe marrje të vendimeve jashtë afateve, pa kryer veprime hetimore.

 

Procesi i vetingut për prokurorin Julian Xhengo po kryhet nga trupa e KPK e kryesuar nga Xhensila Pine, me relatore Firdes Shulin dhe anëtar Olsi Komicin. Në cilësinë e vëzhguesit ndërkombëtar ishte i pranishëm Tonci Petkovic. Julian Xhengo i përfundoi studimet në Shkollën e Magjistraturës në vitin 2007 dhe punoi fillimisht në Prokurorinë e Vlorës dhe në atë të Fierit. Prej vitit 2008, ai e ushtron funksionin në Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë.

 

Vendimi për shkarkimin nga detyra të Prokurorit të Tiranës Julian Xhengo është i 554-të për KPK.

 

Pas vendimit për zgjatjen me dy vjet të afatit te verifikimit të statusit të magjistratëve, KPK-ja duhet të vetojë edhe 251 magjistrate.

Leave a Reply

Your email address will not be published.