Zv.ministrja e Brendshme Romina Kuko, bëri një inspektim në plazhin e Durrësit për masat për mbarëvajtjen e sezonit turistik ku theksoi edhe njëherë rëndësinë që i jepet sigurisë së turistëve dhe pushuesve.

 

Në takimin e zhvilluar me strukturat e Policisë në zonën e plazhit, ajo theksoi përkujdesjen e veçantë që duhet të tregohet ndaj fëmijëve që janë bashkë me familjet në plazh.

 

Ajo nënvizoi masat e marra për disiplinimin dhe kontrollin e mjeteve ujore, në mënyrë që ato të mos rrezikojnë në asnjë rrethanë pushuesit që janë duke notuar në det.

 

Në inspektimin e bërë, Kuko shoqërohej nga zyrtarë të Policisë lokale dhe nga Njësitë e Policisë që përdorin biçikleta gjatë patrullimit të tyre në gjithë vijën bregdetare të plazhit.

 

Kuko u shpreh edhe për çështjen e ndotjes akustike dhe masat e marra në këtë kuadër, për zbatimin e orareve të përcaktuara në bashkëpunim me pushtetin lokal në Durrës.

 

“Diskutuam mbi problematikat e dala deri tani në sezonin turistik, të cilat kanë konsistuar më tepër në pjesën e gjetjes së të miturve që humbin në plazh, një problematikë kjo për të cilën policia ka marrë të gjitha masat, dhe mund të themi që në bazë të përditshme policia vepron në mënyrë efektive për gjetjen e tyre.Në të njëjtën kohë diskutuam për pjesën e motorrëve të ujit ku policia ka marrë masat për respektimin e distancave dhe moslejimin e përdorimit të motorëve të ujit pa lejen e drejtimit dhe gjithashtu që të mos afrohen në zonat ku pushuesit janë duke notuar.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *