Subscribe

Depolitizimi i komisionarëve dhe numëruesve të votave, ka qenë një ndër rekomandimet e ODIHR në raportin e fundit për zgjedhjet e 25 Qershorit. Denar Biba, nënkryetar i KQZ-së, bie dakord me konstatimin, kjo edhe në funksion të performancës së demokracisë shqiptare. Por, ai shkon edhe më tej, duke thënë se edhe vetë KQZ, kupola e administrimit të zgjedhjeve, mund të jetë pjesë e depolitizimit.

 

 “Por që nuk shkon më që përfaqësues të jenë ata që do të monitorojnë votën e qytetarëve, kjo tashmë i ka ardhur koha që të marrë një fund. A mund të ngrihet kjo tendencë depolitizimi edhe në KQZ? E para në bazë të ligjit prezumohet që anëtarët e KQZ janë të depolitizuar. Praktika ka treguar qasje nga më të ndryshmet. Ndoshta edhe në reformën e arshme zgjedhore, ndoshta edhe KQZ mund të përfshihet, të jetë pjesë e reformës dhe mënyra se si rekturohen, apo përzgjidhen anëtarët e KQZ, mund të jetë një e ndryshme.”

 

Duke marrë shkas nga zgjedhjet e 25 qershorit, të cilat sipas Bibës, ishin të qeta, ai thotë se tensionimi i proceseve vjen si pasojë e ndikimit politik.

 

 “Janë partitë politike ato që e shkaktojnë tensionin me sjelljen e tyre dhe jo strukturat. Nuk dua të jem në antagonizëm me atë çka thashë më përpara, depolitizimi i strukturave politike është edhe pjesë e imazhit përballë qytetarit, por thelbësisht janë partitë politike ato që agravojnë situatën, kur ato duan që situata të agravohet.”

 

Teksa Parlamenti pritet të nisë reformën zgjedhore, nënkryetari i KQZ-së tregon disa nga momentet ku duhet të ndalet legjislatori.

 

 “Duhet të shikohet harmonizimi i një seri ligjesh, ligji për partitë politike, ligji për financimin e partive politike, për mediat audiovizive, me Kodin Zgjedhor, sepse sikundër është tashmë situata, ka mospërputhje të dukshme, të cilat edhe i kanë shkaktuar problematikë KQZ-së në vendimmarrjen e saj. Elementë të tjerë mund të kenë lidhje me të drejtën e ankimit ndaj vendimeve të KQZ-së apo edhe më tej.”

 

Komisioni i Posaçëm parlamentar, që do të zyrtarizohet në seancën e kësaj te enjteje, do të shqyrtojë të gjitha rekomandimet e OSBE/ODIHR që nga zgjedhjet e 2013-ës. Ndërkohë që partitë politike kanë gati propozimet, që shkojnë përtej konstatimeve të ndërkombëtarëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *