Subscribe

Lideri i opozitës Sali Berisha, përsëriti se nuk do të paraqitet në gjykatë sa kohë që masa e sigurisë ndaj tij është vendosur në shkelje të kushtetutës. Para gazetareve ish-kryeministri Sali Berisha, deklaroi se kufizimi i lirisë mund të aplikohet vetëm pasi të jetë marrë autorizimi nga parlamenti, pasi neni 73 i kushtetutës i ndryshuar me konsensus mes PS dhe PD, në vitin 2012 ka hequr imunitetin për hetimin dhe përgjimin e deputetit, por jo për çështjet e tjera.

 

SALI BERISHA

“Nëse gjykatësja do thoshte se e thërras Berishën për efekte të hetimit të gjykatës, do të shkoja, por ajo thërret për të komunikuar një masë, vendim që e merr duke shkruar vetë Kushtetutën. Nuk ka histori më të turpshme se kjo.”

 

Berisha shpjegoi se edhe kërkesa për heqjen e gjyqtares Irena Gjoka, u bë për shkak të vendimit të saj për masën e sigurisë. Sipas liderit të opozitës nuk ka asnjë tagër gjyqtarja të interpretojë kushtetutën.

 

“Nuk autorizohet një mercenare që ka humbur çdo gjë njerëzore, të shkruajë Kushtetutën në tavolinën e saj. Kushtetuta nuk mund të shkruhet në tavolinën e gjykatësit, as të prokurorit.”

 

Ish-kryeministri ironizoi edhe caktimin për pak ore të Artan Simonit si avokat i tij

 

“Por a e patë kë zgjodhi ajo? Po ajo ishte fenomenale? Sikur ta porosisja unë. Atë Kmerin e Kuq. Ajo ishte gjëja më e bukur. Ajo e përzgjodhi. Edi Rama ia çoi.”

 

Berisha përsëriti se akuzat ndaj tij janë politike dhe janë ngritur me urdhër të kryeministrit Rama

 

“Ai kur e pa se nuk ka më kontroll mbi opozitën e vërtetë, përveç Bravave të tij, nxori historinë më të turpshme të këtij shekulli. Një dokument me 200 faqe, ku nuk fakton asnjë akuzë me asnjë provë.  Ndaj dhe detyrohet, duke mos pasur asnjë provë, asnjë akuzë, detyrohet të përfundojë me masa sigurie për persona nën hetim. Pas tre vitesh hetimi. “

 

Lideri i opozitës Berisha, paralajmëroi se beteja kundër qeverisë do të vazhdojë dhe për të detajuar aksionin opozitar do të mblidhet nesër Këshilli Kombëtar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *