Instituti i statistikave konfirmoi se gjatë muajve korrik- gusht- shtator pagat në ekonomi u rritën më tej duke bërë që paga mesatare bruto të arrijë në 77 mijë lekë, nga 75 që ishte në tremujorin e dytë.
Kjo rritje ka ardhur nga paga në shtet, e cila arriti në 96 mijë lekë apo 15 % më shumë në të njëjtën periudhë të një viti më parë, ndërsa ritmet e rritjes së pagave në privat ishin më të ngadalta duke bërë që paga mesatare të arrijë në 69 mijë lekë në muaj apo 5.4% më shumë krahasuar me vitin e kaluar.
Ministri i Financave Petrit Malaj i konsideroi këto shifra si një objektiv i arritur.
“Reforma pagave e ndërmarrë në vitin 2023 dhe që u shtri edhe gjatë këtij viti, e cila ishte dhe një prioritet kombëtar mund të konsiderohet një objektiv i realizuar”, tha Malaj gjatë një konference për shtyp.
Ndërkohë në sektorin privat ka nëndeklarime pagash dhe informaliteti. Por pavarësisht kësaj, pse sektori privat nuk po ndjek të njëjtin trend si shteti?
“Unë mendoj se sektori privat është i detyruar që të ndjekë shtetin në rast se ai do të që të jetë konkurrues në treg”, tha ministri.
Me këto shifra në tregun e punës qeveria ka ambicien që në vitin që vjen papunësia të ulet në nivel rekord.
“Aktualisht papunësia ka arritur në nivelin rekord prej 10.7 %. Ndërkohë që në vitin 2025 kemi objektiv që ta arrijnë në nivelin një-shifrorë prej 9.8%”, tha Malaj.
Ministri njoftoi se pritet edhe një akt normativ me ndryshime dhe rialokime të fondeve të pashpenzuara, ndërkohë që në këtë akt normativ do të miratohet edhe bonusi i pranverës për vitin 2025./vizionplus.tv





