Subscribe

Një dite pasi ambasadori amerikan e cilësoi si nje nder kokat e krimit të organizuar në Shqipëri, Emiljano Shullazi është shfaqur pa asnjë shqetësim në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ndryshe nga seanca e kaluar ku ai mungonte, këtë radhë Shullazi dhe gjithë shokët e tij, ishin në sallë për të vijuar betejën me akuzën, teksa javën që vjen ai do të përballet me vetë ish-Ministrin e Brendshëm Saimir Tahiri, për të cilin akuzohet se ka patur lidhje të fshehta.

 

Por kërkesa për dy seanca në javë e bërë nga Shullazi u hodh poshtë nga Gjykata, e cila nga ana tjetër, pranoi e dëgjimin e më shumë dëshmitarëve. Në pritje të përballjes me Tahirin, sot Shullazi shënoi një tjetër dëshmi në favor në tij. Pas Romeo Tarjas, truproja e Ylvi Beqajt, një tjetër dëshmitar, ndryshoi thëniet në seancë.

 

Adriatik Kërçuku, biznesmeni i duraluminit në Lushnje, pati thënë gjatë hetimeve se kishte folur me Shullazin në telefon dhe ky i fundit e kishte kërcënuar. Pas kësaj në biznesin e tij shpërtheu një sasi tritoli. Gjatë dëshmisë së kësaj të marte biznesmeni tha se Shullazin nuk e njeh dhe se me personin kishte folur vetëm në telefon.

 

“Vetëm folëm në telefon e më tha takohemi ne Tiranë, por s’më dha ndonjë numër, pasi foli me numrin e rojes së firmës time. Unë isha ne Durrës.”

 

E për t’u siguruar se diçka e tillë ishte e vërtete dëshmitari u pyet dhe nga vetë Emiljano Shullazi nëse e njihte, ndërsa ky i fundit tha se nuk e kishte parë asnjëherë.

 

Kjo është dëshmia e tretë që ndihmon Shullazin kundër akuzave të prokurorisë për shkatërrim prone, gjobëvënie dhe shantazh. Prokuroria e quan bandën e Shullazit një grup të strukturuar kriminal, të cilin ambasadori Lu një ditë më parë e renditi të parin ndër organizatat që vijojnë punën kriminale të pashqetësuar nga askush.

 

Në procesin ndaj Emiljano Shullazit pritet të dëshmojnë ndërkohë edhe Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako, rektori Mynyr Koni, pedagogu Dhori Kule dhe Shezai Rrokaj.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *