Armëpushimi mes Izraelit dhe Hezbollahut të mbështetur nga Irani duket se është vetëm një hap larg.
Një zyrtar izraelit dhe ministri libanez për punët e jashtme janë shprehur optimist për përfundimin e luftimeve që kanë vrarë dhe plagosur tashmë mijëra persona.
Kabineti i sigurisë i Izraelit pritet të mblidhet këtë të martë për të miratuar një tekst në një takim të kryesuar nga kryeministri Benjamin Netanyahu.
Kjo do të hapte rrugën për një deklaratë armëpushimi nga presidenti amerikan Joe Biden dhe presidenti francez Emmanuel Macron. Uashingtoni dhe Parisi kanë konfirmuar përparim domethënës të diskutimeve.
Marrëveshja në fjalë kërkon që trupat izraelite të tërhiqen nga Libani jugor dhe gjithashtu Hezbollahu të largohej nga kjo zonë e cila është konsideruar si bastion i grupit militant.
Në vend të tyre në këtë rajon do të vendoset ushtria e rregullt e Libanit.
Armëpushimi përfshin rikthimin e sigurt të banorëve në banesat e tyre në të dyja anët e kufirit dhe rindërtimin e zonës libaneze me ndihmën e SHBA-ve.
Gjithashtu Izraeli do të ketë të drejtën të operojë në këtë zonë.
Diplomacia për t’i dhënë fund luftimeve është fokusuar në rivendosjen e një armëpushimi bazuar në Rezolutën e Këshillit të Sigurimit të OKB-së, e cila i dha fund luftës së fundit të madhe midis Hezbollahut dhe Izraelit në 2006.
Por përparimi diplomatik i ditëve të fundit është shoqëruar me një përshkallëzim ushtarak.
Sot, sulmet ajrore izraelite shkatërruan më shumë periferitë jugore të Bejrutit të kontrolluara nga Hezbollahu, ndërsa grupi i armatosur ka vazhduar të lëshojë raketa drejt Izraelit./vizionplus.tv





