Edhe SHBA kanë dënuar me forcë ngjarjet e së hënës në Mitrovicë, duke bërë të qartë se ato rrisin në mënyrë të panevojshme tensionet dhe kërcënojnë stabilitetin rajonal.

 

Zëdhënësja e Departamentit Amerikan të Shtetit, Heather Nauert, në një deklaratë ka bërë të ditur se SHBA u bën thirrje të gjitha palëve “që të shmangin përshkallëzimin e mëtejshëm të situatës si dhe të veprojnë me qetësi për t’i zgjidhur mosmarrëveshjet në mënyrë paqësore.

 

“Për të krijuar paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në Ballkan, Kosova dhe Serbia duhet të përqendrohen në normalizimin e marrëdhënieve nëpërmjet Dialogut të udhëhequr nga Bashkimi Evropian. Shtetet e Bashkuara janë të gatshme të mbështesin të gjitha palët në bisedimet e Dialogut.”

 

Ndërkohë, presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç, tha nëpërmjet një komunikate se ka biseduar në telefon me ndihmës sekretarin amerikan të shtetit Uess Mitchell për zhvillimet e fundit. Ata janë pajtuar se ruajtja e paqes është parakusht për vazhdimin e çfarëdo bisedimesh për të ardhmen e rajonit.

 

Sot pritet që përfaqësuesit e katër komunave veriore me shumicë serbe në Kosovë, të zhvillojnë një takim të përbashkët.

Ata do të diskutojnë për situatën politike dhe atë të sigurisë në veriun e Kosovës. Siç ka paralajmëruar Lista Serbe, do të nisin diskutimet për themelimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

Një veprim që kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj e ka konsideruar si një hap të nxituar dhe është shprehur i bindur se do të gjendet gjuha e përbashkët nëpërmjet bisedimeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *