Kryeministri Edi Rama nga njësia 2 deklaroi se Shqipëria ka njohur një rritje të ndjeshme të turizmit dhe investimeve.
Ai theksoi se vendi ka kaluar nga 2 milionë në 12 milionë turistë. Rama nënvizoi gjithashtu nismat e reja të qeverisë për mbështetjen e qytetarëve, përfshirë kreditë për strehim, zhvillimin e bizneseve të vogla dhe paketën për agroturizmin në zonat rurale.
Edi Rama: Kemi nisur me dy milionë turistë, ndërkohë që nuk i quajnë turistë shqiptarët që hyjnë e dalin. Ata numërohen si vizitorë. Kemi arritur në 12 milionë turistë dhe mbi 1.5 miliardë investime. Kemi filluar me kreditë për policët, mësuesit për të marrë shtëpi. Janë hapat e parë dhe janë hapa që tregojnë se po krijojmë mundësi. Do nisim me një program “Dyfisho sipërmarrjen tënde” me kredi për ata që kanë një biznes të vogël dhe kanë një plan të besueshëm për ta rritur. Kemi dhe Paketën e Maleve për ata që kanë tokë dhe shtëpi në fshat dhe që duan ta kthejnë në agroturizëm. Paketa e maleve nuk është për oligarkët, nuk ka oligarkë në vendin tonë.
Shefi i qeverisë u shpreh gjithashtu se Shqipëria ka bërë përparime të rëndësishme në prokurimet publike dhe shërbimet ndaj qytetarëve, duke iu referuar vlerësimeve të Bashkimi Evropian. Ai veçoi rolin e platformës e-Albania në lehtësimin e shërbimeve, ndërsa theksoi nevojën për organizim dhe përgatitje më të mirë në funksion të proceseve të ardhshme politike.
Edi Rama: Ne kemi kalaur nga të fundit të parët në rajon për Prokurimet Publike. Nuk e them unë, e thotë Bashkimi Evropian. Shërbimet po ashtu, e-Albania ka ndryshuar jetën e njerëzve. Ky është fakt. Kemi akoma shumë gjëra të tjera që i kemi në proces për të përmirësuar më shumë atë shërbim. Është shumë e rëndësishme që në këtë proces ku do të bëjmë edhe zgjedhjet e kryetarëve të organizatave, të mos bëjmë diçka formale por të bëjmë diçka që është tamam si një bisedë në shtëpi. Kur përgatitemi mirë dhe në kohë dalim shumë mirë në rezultat.





