Kryeministri Edi Rama shfrytëzoi konferencën e ambasadorëve shqiptarë nëpër botë për të shpallur dy prioritetet e mandatit të 4 qeverisës, prioriteti i parë është mbyllja e negociatave për anëtarësimin në BE brenda dy viteve dhe organizimi i samitit të Natos në Tiranë në vitin 2027.
Pak ditë para se të paraqesë në Parlamentin e ri programin qeverisës, Edi Rama theksoi se fokusi në këto 4 vite do të jetë anëtarësimi i Shqipërisë në Bashkimin Europian.
“Këto katër vjet të cilat përkojnë me këtë agjendë janë 4 vjet që asnjë ditë nuk duhet humbur dhe ku koha nuk pret për të përgatitur të gjithë terrenin e mbështetjes së vendimit që do të marrë Këshilli Europian për anëtarësimin e Shqipërisë në BE”, tha Rama.
Kryeministri Rama veçoi rëndësinë e punës së diplomatëve në Bruksel në raport me procesin e negociatave për anëtarësim.
“Është bërë një punë e admirueshme për të hapur dyert për të gjithë ata që kishin dëshirë t’i bashkoheshin skuadrës së ambasadës dhe përmes një bashkëveprimi me ministrin e Jashtëm dhe 2 ministrat e shtetit, kryesisht kryenegociatores dhe zëvendësueses së saj dhe ambasadorit tonë në Bruksel Ferit Hoxhës, është arritur që të krijohet një bërthamë që nuk kam asnjë dyshim që është një nga investimet më të bukura që është bërë. Dhe më gjatë do të shërbejë për të fuqizuar siç duhet atë trupë që muaj pas muaj do të ketë një ngarkesë akoma më të madhe dhe patjetër do të jetë baza e asaj që do të vijë më pas e Shqipërisë pjesë e Europës”, u shpreh kryeministri.
Nga ana tjetër Edi Rama kritikoi ambasadorët për aspektin e diplomacisë ekonomike.
“Mbetet hallka më e dobët është diplomacia ekonomike, ku roli i përfaqësive tona është i dobët dhe ku përjashto raste specifike e të veçanta kontributi është thuajse inekzistent”, tha Rama.
Gjithashtu kryeministri kritikoi punën e diplomatëve shqiptarë në raport me diasporën.
“Jemi një vend i vogël dhe popull i vogël që nuk e kemi luksin të mos kemi as dijeni për burimet tona njerëzore jashtë vendit, për shqiptarët e shkolluar, profesionistë e jashtëzakonshëm, që ne i kemi në të gjitha vendet e botës. Dhe minimalisht dijeninë për ta, për ekzistencën e tyre duhet të na e garantojë shërbimi diplomatik”, deklaroi kryeministri.
Konferenca e ambasadorëve me moton “Shqipëria 2030: në Evropë, e ndërlidhur me botën” do të zgjasë 3 ditë dhe diskutimet do të fokusohen në procesin e integrimit, në aspektin e diplomacisë ekonomike, si edhe në çështjet e sigurisë rajonale e globale.





