Tirana u trondit ditën e djeshme, 18 nëntor, pas vrasjes së 14-vjeçarit Martin Cani me thikë. Autor është një adoleshent tjetër, 15 vjeç. Të rinjtë u përfshinë në një sherr me thika sapo dolën nga shkolla “Fan Noli” ku studionin. Goditja me thikë në zemër rezultoi fatale për Canin.
Dy adoleshentë të tjerë, mes tyre autori kanë mbetur të plagosur. Gazetari i Vizion Plus, Esido Barkaj, ditën e sotme, ka treguar detaje në emisionin “7pa5”. Thika e autorit nuk është gjetur ende nga policia, ndërsa shoku i Martinit ka marrë 6 plagë dhe ndodhet në gjendje të rëndë në spital.
Lexo edhe :
Related Posts
Gazetari tha se kjo ngjarje është një kambanë alarmi për shoqërinë dhe një ngjarje shumë e rëndë për prindërit, të cilët çojnë fëmijët në shkollë , por ia sjellin të vdekur.
Esido Barkaj: Dy të miturit kanë pasur një përplasje ditën e premte. Janë ndarë nga roja i sigurisë së shkollës dhe duket se situata ka qenë e qetë, askush nuk ka pritur që situata të agravonte. Ditën e djeshme, ishin takuar gjatë orarit të mësimit. Sapo ka përfunduar orari mësimor janë larguar nga oborri i shkollës dhe janë përfshirë në një sherr maiv me grushta dhe shqelma. Më pas autori 15-vjeçar nxorri thikën dhe goditi 14-vjeçarin.
Viktima u dërgua me urgjencë në poliklinikën aty pranë dhe më pas në spitalin e Traumës, por nuk i mbijetoi dot plagëve. Shoku i tij ka 6 plagë me thikë dhe ndodhet në gjendje të rëndë. Edhe 14-vjeçari kishte marrë disa goditje.
Është e tmerrshme të mendosh që një 15-vjeçar qarkullon i armatosur dhe tenton të vrasë dy veta. Viktima nuk pa pasur thikë. Autori ka plagosur aksidentalisht edhe veten. I mituri është larguar nga vendi i ngjarjes në shtëpinë e tij, ku është dërguar më pas në spital. Thika nuk është gjetur ende nga policia. Gjatë ditës së djeshme janë shoqëruar në polici disa të mitur, të cilët kanë dhënë dëshmi se si nisi sherri dhe pse përfundoi në këto përmasa. Sa i takon të miturit ai do dënohet padyshim. Është një krim i rëndë. Nëse ai shpallet fajtor nga Gjykata, do të kalojë në burgun e të miturve dhe më pas pjesën e mbetur të dënimit në burg.
Prindër që çojnë fëmijët në shkollë dhe më pas ia sjellin të vdekur është një kambanë alarmi. Gjithçka duhet nisur nga bërthama, familja. Nuk i takon vetëm policisë apo mësuesit të kontrollojë nxënësit, por gjithçka fillon nga familja. Kemi shumë prindër që mundohen dhe kamuflojnë veprimet e fëmijëve të tyre, duke i quajtur normale. Kjo ka stepur edhe pak mësuesit. /vizionplus.tv






