Subscribe

Ruajtja e kapitalit njerëzor dhe cilësia e tij është një ndër sfidat më të mëdha me të cilat po përballet sot vendi ynë në kushtet kur oferta që vjen nga shtetet më të zhvilluara europiane, është joshëse. Kështu ka deklaruar Kryeministri Edi Rama gjatë prezantimit të programit kombëtar të zhvillimit profesional të mësuesve, duke premtuar edhe angazhimin e qeverisë për të forcuar mbështetjen ndaj arsimit.

“Ka filluar një luftë, një luftë pa armë, por një luftë shumë e egër për kapitalin njerëzor. Edhe vendet më të zhvilluara, të cilat sot po përballen me fenomenin e pandalshëm të plakjes dhe që janë në krye të trenit të Europës, janë investuar dhe po investohen dhe do të investohen çdo vit e më shumë për të marrë kapital njerëzor nga të tjerët ku të munden dhe sa të munden, pa mëshirë, pa asnjë mëshirë. Natyrisht që fuqia tërheqëse e tyre për kapitalin tonë njerëzor dhe kapitalin njerëzor të vendeve si i yni mbetet shumë sfiduese për të gjithë ne. Oferta e tyre është shumë më e fortë sesa oferta jonë, por ne nuk mundet dot të mos  reagojmë në një mënyrë jo tradicionale për të mbrojtur sa të mundemi kapitalin tonë njerëzor dhe për të fuqizuar sa të mundemi cilësinë e kapitalit tonë njerëzor këtu në vendin tonë sepse përndryshe, në një kohë jo shumë të largët, mund të gjendemi përpara një situate të pamundur”, tha Rama.

Ndërkohë, ambasadori i BE-së në Tiranë, Silvio Gonzato parashtroi krahas arritjeve, edhe problematikat që meritojnë vëmendje të vazhdueshme.

“Kjo përpjekje për të trajnuar mësuesit duhet të shkojë paralelisht edhe me sfida të tjera sikurse kurrikulat në shkolla, aftësitë digjitale si dhe për të ecur më tej me kërkimin shkencor. Ne jemi këtu për t’ju përkrahur”, u shpreh ambasadori.

Me nisjen e Programit Kombëtar të Zhvillimit Profesional të Mësuesve,  brenda këtij viti synohet të trajnohen 4000 mësues të arsimit fillor si dhe mësuesit e gjuhës shqipe, matematikës dhe shkencat e natyrës, për aftësitë digjitale.

“Deri në vitin 2025, mbi 16 mijë mësues do të trajnohen me metodat efektive të mësimdhënies. Do të krijojmë Portofolin Digjital të mësuesit, i lidhur me formimin profesional, nga kredencialet elektronike, sistemi i kualifikimeve, regjistrimi i krediteve të trajnimeve të akredituara, dhe duke pasur këtu një pamje të qartë në sistemin e monitorimit të performancës të mësimdhënies në shkolla”, tha Manastirliu.

Gjithashtu u vu theksi edhe tek ndërtimi i një sistemi të besueshëm kualifikimesh mbi bazën e të cilit do të përcaktohen nivele të ndryshme pagash sipas meritës, kontributit dhe kualifikimeve. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *