Tiranë- Është prezantuar sot Albanian Digital Solution Sh.A., një tjetër iniciativë që synon modernizimin e shërbimeve dhe forcimin e inovacionit teknologjik në vend.
Drejtori i Përgjithshëm i AKSHI-t, Igli Tafa, ka theksuar progresin e Shqipërisë në fushën e digjitalizimit, duke e cilësuar këtë proces si një punë të gjatë dhe të vazhdueshme të institucioneve dhe specialistëve të teknologjisë.
Tafa u shpreh se çdo shërbim që qytetarët marrin sot me një klikim është rezultat i një pune të heshtur dhe këmbëngulëse nga stafi i AKSHI-t, përfshirë inxhinierë, teknikë dhe zhvillues.
Ai nënvizoi se zhvillimi digjital në vend është i lidhur drejtpërdrejt me punën e AKSHI-t, duke theksuar se transformimi është ndërtuar “gur pas guri” nga profesionistët e institucionit.
Igli Tafa: Sot ndalemi për një çast të shohim se sa larg kemi arritur në rrugën e digjitializimit dhe se sa larg mund të shkojmë akoma. Asgjë nuk ka rënë nga qielli. Pas çdo shërbimi që qytetari sot e merr me një klikim qëndron një punë e gjatë, e heshtur dhe këmbëngulëse. Dua të them me bindje se aty ku ka pasur një zhvillim digjital, aty ka qenë AKSHI. Stafi i AKSHI-t, punonjësit, e tij, inxhinierët, teknikët, zhvilluesit, përgjegjësit, drejtuesit, punojnë pa pushim që sistemet të qëndrojnë në këmbë. Pa ato asgjë nuk do të ishte funksionale sot. Këta njerëz e kanë ndërtuar transformimin digjital të këtij vendi gur pas guri. Arritjet flasin vetë.
Tafa veçoi gjithashtu implementimin e platformës e-Albania 2.0, të cilën e cilësoi si një hap përpara në mënyrën e ofrimit të shërbimeve publike, duke e bërë platformën më të shpejtë dhe më të sigurt.
Sipas tij, përmirësimet e reja mundësojnë akses më të lehtë për personat me aftësi të kufizuara, si dhe sjellin funksionalitete të reja për bizneset, përfshirë menaxhimin e autorizimeve për shërbime online.
Tafa shtoi se AKSHI ka bashkëpunuar ngushtë me partnerë ndërkombëtarë, përfshirë Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara, në realizimin e projekteve të digjitalizimit në vend.
Igli Tafa: Implementimi i platfomrës më të fundit e-Albania 2.0 ishte një rilindje e mënyrës se si shteti flet me shtresa të ndryshme të shoqërisë. Është një platfomë më e shpejtë, më e sigurt. Personat me aftësi të kufizuar mund të përdorin shërbimet publike në mënyrë të pavarur dhe të thjeshtë. Për bizneset, platforma e re sjell një funksionalit të ri, menaxhimin e autorizimeve për delegimin e përkohshëm të shërbimeve publike online. Ne ndërtuam edhe Diellën, është asistentja virutale në platformën e-Albania dhe krenarisht ministren tonë të Inteligjencës Artificiale. Diella është dëshmia se si Shqipëria po ndjek revolucionin e Inteligjencës Artificiale, jo më si spektator, por si një aktor aktiv në skenën botërore. AKSHI ka punuar krah për krah me partnerët ndërkombëtarë, BE, SHBA-në dhe partnerët e tjere që kanë besuar në punën tonë. AKSHI iu përgjigj çdo sfide duke punuar më shumë, duke punuar më mirë dhe duke i lënë rezultatet të flasin vetë. Albania Digital Solution, është shoqëria e re e cila lindi si motor i nevojshëm për zhvillimin e shërbimeve tekbnologjike të vendit. Ky është një model i provuar në vendet e Bahskimit Evropian.





