Subscribe

Kandidaturën për deputet, kryeministri Edi Rama nuk priti datën 8 Mars për ta zbuluar. Atë që e kishte paralajmëruar si detyrim, kryesocialisti do t’ia kthejë, duke qenë një nga kandidatët për deputet në qarkun e Durrësit.

“Unë do jem pjesë e skuadrës edhe në Durrës dhe ky mandat i tretë do të ketë një vend të veçantë për Durrësit, si potencial i pashfrytëzuar. Sot jemi në një udhëkryq mes të ardhmes dhe të shkuarës me një punë që vazhdon dhe nuk e bën dot askush më mirë se dhe pse ne nuk jemi më të mirë”, tha Rama.

Vendimi i tij, që jo domosdoshmërisht do të thotë se Edi Rama nuk do të kandidojë edhe në tre qarqe të tjera, pasi kodi i ri elektoral ia njeh këtë mundësi çdo kryetari partie, e komunikoi në prezantimin e socialistëve të rinj që do të jenë pjesë e skuadrës së mazhorancës për zgjedhjet e 25 prillit.

Në atë që ai e quajti anije kozmike, Edi Rama, iu kërkoi kandidatëve të përzgjedhur nga “Deputeti që Duam”, të mbanin fjalimin e parë para tij.

Pas kalimit të provës së parë, të dhjetë duhet t’i përgjigjeshin dy pyetjeve.

Me gjithë hyrjen në listën e kandidatëve për deputet të dhjetë grave dhe burrave, boshti i skuadrës së socialistëve nuk ndryshon, ai do t’i mbetet atyre që e kanë vendosur PS-në në një parti që sipas Edi Ramës është zëri i qytetarëve.

“Skuadra jonë kombëtare po bëhet gati. Fatmirësisht ne ndryshe nga të tjerët nuk kemi mungesë zgjedhjesh. Kemi më shumë lojtarë të aftë për të mbuluar të gjitha rolet se sa vendet në skuadër. Grupi im parlamentar ka shumë profile të përshtatshme për çdo rol dhe gjatë këtyre viteve ka krijuar një bagazh eksperience të vyer që assesi nuk mund të neglizhohet. Është një grup që ka mbajtur ngarkesa të mëdha, momente të caktuara, krejt të pazakonshme për vetë dinamikën e jashtëzakonshme të jetës parlamentare, ku momentet e rënda të tensionit kanë qenë të shpeshta dhe të gjata. Grupi ka qenë vijimisht solid dhe mbështetës për reformat, për vendimmarrjet e vështira dhe për çuarjen përpara të punës përpara. Ky grup do të jetë boshti i skuadrës sonë kombëtare të 25 prillit. Skuadra duhet të jetë në lartësinë e sfidës të ripërtëritjes me lojtarë të rinj, me vajza e djem, gra e burra që sjellin energji të reja, profile të reja, përfaqësuese të një shoqërie që ndryshon me shpejtësi.”

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *