Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj bëri prezantimin e skuadrës së “Shqiponjave” në Drejtorinë Vendore të Policosë së qarkut Berat, duke nënvizuar se shtimi i kapaciteteve dhe burimeve njerëzore përkthehet drejtpërdrejt në më shumë siguri e qetësi për qytetarët dhe vendin.

Lleshaj përmendi gjatë fjalës së tij disa prej treguesve kryesorë të punës së policisë sa i përket rendit dhe sigurisë publike, ku bie në sy përgjysmimi i numrit të vrasjeve.

Ministri tha se një ndër qëllimet e punës së tij është modernizimi e sofistikimi i strukturave dhe mjeteve në dispozicion të policisë, duke u përqendruar së pari te trajnimi i personelit e më tej në pajisje të reja.

“Ne jemi të bindur se investimi në fushën e sigurisë është investim në themelin e shoqërise sonë, për një jetë sa më normale të qytatarëve të këtij vendi. Që nga viti 2013, numri i forcave të Policisë së Shtetit është rritur me 13% dhe kjo është përkthyer me rënie të ndjeshme të treguesve të kriminalitetit në vend dhe është përgjysmuar numri i vrasjeve në vend. Vetëm 2 vitet e fundit janë shtuar 700 efektivë të rinj në forcat e policisë dhe kemi 12 njësi operacionale, të shpërndara në çdo qark. Ne kemi ngritur edhe Njësinë e re Operacionale “K” që do të shërbejë për kapjen e personave në kërkim,që i janë shmangur drejtësisë prej më shumë se 30-vjetësh”, tha Lleshaj.

Në fjalën e tij, Ardi Veliu, ka theksuar se tashmë sigurisë, që është faktorit më kyç për zhvillimin shoqëror në tërësi i është shtuar një garanci më tepër, siç është forca e posaçme operacionale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *