Pretendimet territoriale në rritje të Pekinit në Detin e Kinës Jugore janë pritur me kundërshtime nga shumë vende të Azisë Juglindore. Disa nga këto vende kanë mosmarrëveshje territoriale me njëri-tjetrin. Siç njofton korrespondentja e Zërit të Amerikës Yuni Salim, zgjidhja e tyre mund të jetë e mirë nga pikëpamja ekonomike, por ajo i vë ato në një pozicion të vështirë me Pekinin.

 

 

Dislokimi nga Indonezia në fillim të janarit i disa luftanijeve pranë ujërave indoneziane që Kina i konsideron pjesë të territorit të saj rriti tensionet në rajon, por përfundoi pa incidente. Kina e konsideron zonën përreth ishujve Natuna pjesë të territorit të saj detar. Sipas Konventës së OKB-së për të Ligjet e Detit, Indonezia e konsideron të njëjtin rajon si pjesë të zonës së saj ekskluzive ekonomike.

 

 

Abdul Kadir Jailani është Shef i Çështjeve të Azi Paqësorit në Ministrinë e Jashtme të Indonezisë. “Sipas kushteve të së drejtës ndërkombëtare, Indonezia nuk ka mosmarrëveshje territoriale në rajon, por ne e kuptojmë se Republika Popullore e Kinës ka një pikëpamje tjetër”, thotë ai.

 

 

Organizata Nisma Drejtësi për Oqeanin Indonezian tha se një anije kineze është parë që nga 30 dhjetori duke lundruar pranë fushës së gazit Tuna Block afër Natunas dhe fushës së naftës dhe gazit Chim Sao që ndodhen në territorin e Vietnamit.

 

 

Aktiviteti pranë ujërave të debatueshme ndodhi pak kohë pasi Indonezia dhe Vietnami arritën një marrëveshje mbi një sërë kufijsh në zonat e tyre ekonomike ekskluzive dhe përfunduan një marrëveshje për gazin natyror me vlerë mbi tre miliardë dollarë. Greg Poling është ekspert i Azisë Juglindore në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare. “Kjo mund të jetë mjaft fitimprurëse, por sigurisht që Kina do të jetë e zemëruar për këtë. Kina u përpoq të ndalonte shpimet eksploruese në atë bllok një vit më parë. Nuk kam dyshim se Kina do të përpiqet të ndalojë përsëri shpimet dhe qeveria indoneziane duket e përkushtuar për të ecur përpara”, thotë ai.

 

 

Marrëveshja mes Indonezisë dhe Vietnamit është rezultat i më shumë se një dekade bisedimesh dhe pason konfliktet e ashpra për të drejtat e peshkimit, të cilat shpesh çuan në konfiskime varkash si ato të vitit 2020 dhe 2019. Muhammad Zulfikar Rakhmat është studiues i marrëdhënieve kino-indoneziane. “Marrëveshja e Indonezisë me Vietnamin është një arritje e madhe. Mendoj se kjo është e jashtëzakonshme. Më në fund, këto dy vende morën guximin për të marrë vetë masa për lehtësimin e tensioneve në Detin e Kinës Jugore”, thotë ai.

 

 

Problemi tani është se anijet kineze ndërhyjnë në këto ujëra, pavarësisht nga fakti se pretendimet e Kinës në Detin e Kinës Jugore kryesisht u hodhën poshtë nga Gjykata e Përhershme e Arbitrazhit në Hagë në vitin 2016. Në janar të vitit 2022, Departamenti amerikan i Shtetit deklaroi gjithashtu se pretendimet e Pekinit në Detin e Kinës Jugore janë të paligjshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *