Subscribe

10 vjet heqje lirie kërkoi Prokuroria e Posaçme për ish-ministrin e mjedisit, Lefter Koka dhe dy pronarët e inceneratorit të Elbasanit, Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri. Ndërsa për Stela Gugalljan, SPAK kërkoi 7 vjet burgim.

 

Të 10 të pandehurit për djegësin e Elbasanit, përfituan nga gjykimi i shkurtuar, e në këto kushte dënimi për Kokën, Zoton dhe Mërtirin ishte: 6 vjet e 8 muaj burgim, ndërsa për Gugalljan, masa e dënimit përfundimtar ishte, 4 vjet e 8 muaj.

 

Alqi Bllako, në cilësinë e funksionarit më të lartë civil që kishte për detyrë të mbikqyrte punimet e inceneratorit, sipas prokurorit Arbën Kraja, duhet dënuar me 4 vjet burg

 

Të njëjtën masë dënimi prej 4 vitesh, SPAK, kërkoi edhe për 5 anëtarët e prokurimit publik, Etleva Kondi, Jonida Zeqo, Serfin Papa, Pëllumb Abeshi dhe Bardhyl Çabiri, të cilët, në bashkëpunim, shkelën detyrën.

 

Avokati, Sajmir Vishaj e cilësoi standard të dyfishtë këtë masë dënimi për të pandehurit.

 

SAJMIR VISHAJ


AVOKAT

Për mua është skandaloze, standard i dyfishtë. Për shpërdorim detyre në raste të tjera nuk e kanë kërkuar një vit. Kjo bëhet për çështje politike dhe aspak ligjore ndaj ka katërfishuar masat e dënimit. Shpresoj që gjykata e shkallës së parë të mos bjerë në këtë nivel, nuk mund të presësh me thikë masat si për atë që është fajtor dhe atë që ka rol dytësor.

Po këtë të enjte, SPAK i kërkoi togave të zeza konfiskimin e dy shoqërive kryesore, Integrated Technology SHPK dhe AlbTech Energy SHPK që po ashtu janë marrë të pandehura nga Gjykata e Posaçme.

Për 4 kompanitë që kishin për funksion të kryenin pagesat fiktive gjithashtu SPAK kërkoi t’i kalojnë shtetit, sikundër edhe për 8 apartamente që i përkisnin njërës nga kompanitë që kishte funksion të vendoste në zbatim skemën fiktive me faturat tatimore.

 

E në fund, Arben Kraja i kërkoi trupës gjykuese të konfiskonte edhe 88% aksioneve të një kantine vere, pronar i të cilës ishte Lefter Koka.

 

Sipas SPAK, hetimet kanë hedhur dritë se dëmi me faturat tatimore përllogaritet të jetë 331 milionë lekë. Të pandehurit akuzohen për korrupsion aktiv e pasiv, pastrim parash dhe shpërdorim detyre pasi kanë paracaktuar tenderin, kanë fshehur prejardhjen e të ardhurave në këmbim të parave dhe vendosjes në funskion të një skeme fiktive.  Seanca e radhës, ku mbrojtja do të ketë fjalën e vetë, pritet të jetë në 1 qershor, në orën 9.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *