“Presim opozitën për reformat”, PS: Bashkëkryetarët do të kenë të drejtën e vetos
Teksa në Parlament pritet të nisë puna për reformën zgjedhore dhe atë territoriale, Partia Socialiste ka dhënë propozimin e saj për përbërjen e komisioneve.
Pas mbledhjes së grupit të mazhorancës, Taulant Balla shpalosi planin e të majtëve, megjithatë theksoi se do të presin dhe propozimin e opozitës.
“Kemi propozuar për komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore, variant të parë të përbërjes, 17 anëtarë, 9 PS, 8 grupet e tjera parlamentare. Jemi të hapur për të debat me opozitën. Të dy bashkëkryetarët në komisione kanë të drejtën e vetos. Për komisionin e reformës territoriale tradita ke qenë që shumicën e ka grupi më i madh parlamentar dhe drejtohet me kryetar dhe zv.kryetar”, tha Taulant Balla, kreu i grupit parlamentar të PS.
Me shpresën se do të dakordësohet me opozitën, Balla sqaroi se brenda vitit do të zgjidhin dhe ngërçin e avokatit të popullit.
“Të ndërtojmë së bashku një proces. Jemi këtu në këtë situatë 3 vite me vonesë për zgjedhjet e avokatit të popullit për shkak të mungesës së dëshirës për tu bërë pjesë e këtij procesi. Nuk e kanë më as mbajtjen peng se nëse opozita nuk do të bëhet pjesë, ne jemi të detyruar të zgjedhim avokatin e popullit. Shpresoj që të zgjidhet brenda krishtlindjeve”, u shpreh Balla.
Sa i përket diskutimeve për ligjin e barazisë gjinore, kreu i grupit parlamentar të PS, u shpreh se drafti është në punim e sipër, ndërsa ka nevojë për saktësime termash.




