Presidenti Ilir Meta dhe Presidentja Grabar-Kitaroviç vizituan qytetin e lashtë e me vlera historike dhe atraksione turistike të Beratit, të mirëpritur nga kryebashkiaku Petrit Sinaj.

 

Gjatë vizitës në Berat presidentja kroate  u shpall “Qytetare Nderi” nga Këshilli Bashkiak i këtij qyteti me motivacionin:

“Personalitetit i shquar i politikës rajonale e më gjerë, model frymëzimi, humanizmi, solidariteti si dhe përfaqësues e një populli mik që çmon dhe vlerëson kontributin e shqiptarëve për lirinë duke ndërtuar ura bashkëpunimi, tolerance, mirëkuptimi dhe paqeje midis popujve.”

Presidenti Meta theksoi se vizita në këtë qytet të përfshirë në trashëgiminë botërore të UNESCO-s dhe shpallja e Presidentes kroate “Qytetare Nderi” nga Beratit është një tregues mjaft domethënës jo vetëm i lidhjeve të lashta mes dy vendeve e popujve, por edhe një ilustrim i marrëdhnieve të shkëlqyera e miqësisë së ngushtë mes shqiptarëve dhe kroatëve.

 

Gjithashtu Meta u shpreh optimist se pas kësaj vizite do të rritet jo vetëm numri i turistëve kroatë e madje, edhe nga vende të tjera në këtë qytet.

 

Ndërsa Presidentja e Kroacisë, Kitarovic në fjalën e saj ka thënë se tashmë me këtë nderim e ndjen veten bashkëqytetare me të gjithë beratasit, gjithashtu nënvizoi faktin se miqësia dhe bashkëpunimi mes Kroacisë dhe Shqipërisë, midis kroatëve dhe shqiptarëve, është më e fortë se kurrë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *