Presidenti i SHBA është përplasur sërish me Byronë Federale të Hetimeve, pasi agjentët konfiskuan dokumente të avokatit të tij personal, Michael Cohen. Në reagimin e tij, Trump e quajti këtë veprim si të turpshëm dhe një sulm ndaj vendit. Ai nuk ngurroi të akuzoje sërish prokurorin e posaçëm Robert Mueller per te cilin tha se po merret me një gjueti shtrigash. Presidenti Trump theksoi se deri tani nuk është gjetur asnjë bashkëpunim i fshehtë me Rusinë për ndërhyrje në zgjedhjet presidenciale të vitit 2016.

 

I pyetur nëse do ta shkarkonte prokurorin Mueller, ai nuk u përgjigj drejtpërsëdrejti por tha se “këtë do ta shohim”. Për më tepër Donald Trump u ankua se nuk ka patur asnjë hetim rreth rivales së tij në zgjedhje, Hillary Clinton, duke iu referuar “33 mijë emaileve të saj të zhdukura”.

 

Agjentët e FBI-së konfiskuan komunikime klient-avokat që mbrohen me ligj, por nuk dihen hollësi mbi përmbajtjen e tyre. Michael Cohen, avokati personal i presidentit Trump, muajt e fundit është vënë nën vëzhgim për shkak të një pagese prej 130 mijë dollarësh që i ka bërë aktores Stormy Daniels, e cila pretendon se ka pasur lidhje intime me Trump në mesin e viteve 2000. Presidenti amerikan thotë se nuk ka qenë në dijeni të pagesës, për të cilën disa ekspertë ligjorë thonë se mund të jetë nxjerrë nga kontributet për fushatën e tij zgjedhore dhe si rrjedhojë ka qenë e paligjshme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *