Presidenti i Republikës, Ilir Meta, në San Marino është pritur me nderime shtetërore nga Kapitenët Regjentë, Stefano Palmieri dhe Matteo Ciaçi. Në këtë takim presidenti Meta vlerësoi marrëdhëniet e mira miqësore, të konsolidura në shekuj, mes shqiptarëve e sanmarinezëve, si dhe vlerat e larta që dy popujt ndajnë, bujarinë dhe mikpritjen.

 

Ndër të tjera Meta, vlerësoi lart dhe përshëndeti vendimin më të fundit të Qeverisë së San Marinos për të hapur një Ambasadë rezidente në Tiranë dhe theksoi se hapja e saj do t’i japë një shtytje të re këtyre marrëdhënieve. Kontaktet e drejtpërdrejta mes shqiptarëve dhe sanmarinezëve do të jetë garancia më e mirë për të ardhmen miqësore dhe të bashkëpunimit midis dy vendeve.

 

Me shumë interes u diskutua mbi mundësitë e bashkëpunimit në fushën e turizmit, operatorve turistikë, dhomave të tregtisë, financës, bujqësisë, arsimit, inovacioniet, bashkëpunimit ndërmjet televizioneve publike, etj.

 

Në mënyrë të veçantë bashkëbiseduesit vlerësuan angazhimin e të dy vendeve në kuadër të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe ndanë mendimin se, afrimi i tyre me BE-në dhe tregun e përbashkët evropian do të krijojë mundësi të reja bashkëpunimi mes dy vendeve.

 

Presidenti Meta shprehu gjithashtu mirënjohjen edhe për mikpritjen që San Marino i ka dhënë disa dhjetra shqiptarëve që emigruan në fillim të viteve ’90 për një jetë më të mirë, por edhe atyre qindra të tjerëve që jetojnë në Itali dhe punojnë gjatë ditës në San Marino.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *