Subscribe

Sot në Presidencë u organizua ceremonia e posaçme, ku 12 rektorë, morën zyrtarisht detyrën. Rektorët e rinj, do të drejtojnë për katër vitet e ardhshme institucionet publike të arsimit të lartë në vend.

Presidenti Meta gjatë fjalës së tij u shpreh: Zgjedhja dhe përzgjedhja juaj erdhi nëpërmjet një procesi jo të lehtë, veçanërisht prej situatës së pazakonshme të pandemisë, të papriturave dhe përpjekjeve për t’u përshtatur me masa të cilat shpesh edhe u kontestuan.

Prandaj edhe sfidat përpara jush janë të vështira por jo të pamundura.

Sfidat dhe vështirësitë me të cilat do të përballeni do të jenë të shumta, sidomos në këtë periudhë pandemie e cila kërkon edhe më shumë impenjim dhe strategji të veçantë për të garantuar cilësi dhe studime sa më efektive. Me marrjen e detyrës suaj, ju nxis të punoni pa u lodhur për t’i transformuar universitetet në qendra më aktive shkencore.

Kreu i shtetit, bëri të ditur se, “Shqipëria ka sot më shumë se kurrë nevojë për shpresë! Edukimi i mirë i rinisë është shpresa e madhe e vendit tonë. Duhet ndalur largimi i trurit dhe i forcave të reja dhe më krijuese të shoqërisë. Largimi i rinisë dhe mbyllja e shumë degëve të studimit në universitetet në mbarë vendin është një plagë shumë e madhe! U duhet ofruar të rinjve tanë më shumë shpresë e alternativa edukimi dhe pune. Shqipëria ka nevojë për “brain gain” dhe jo “brain drain”

Presidenti Meta theksoi se: “Njëkohësisht tërheq vëmendjen tuaj dhe kërkoj angazhimin dhe vendosmërinë tuaj të plotë për forcimin e autoritetit të Institucioneve të Arsimit të Lartë dhe veçanërisht autonominë e universiteteve, duke i mbajtur ato sa më larg politikës dhe ndikimeve dhe qëllimeve të saj.

Liria akademike, autonomia financiare dhe organizative në përputhje me legjislacionin në fuqi janë të rëndësishme për Institucionet e arsimit të lartë në vendin tonë dhe vendosmëria e përkushtimi juaj për t’i mbrojtur ato duhet të jetë parimor dhe i pa kompromis”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *