Presidenti maqedonas Gjorge Ivanov mbetet i palëkundur në qëndrimin e tij për të kundërshtuar marrëveshjen e arritur një ditë më parë mes kryeministrave Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras. Në një konferencë për shtyp, Ivanov deklaroi se nuk ka ndërmend të nënshkruajë marrëveshjen që e quajti si më të keqen dhe më jotransparenten që ka parë historia.

 

“Teksti i marrëveshjes është sfidues për Republikën e Maqedonisë dhe jo vetëm që parashikon ndryshimin e emrit kushtetues, por edhe një ndryshim në preambulën ku përmenden kushtet e Republikës së Maqedonisë. Gjithashtu marrëveshja nuk ka siguri ligjore dhe garanci për palën maqedonase, por Greqia ka arritur të përmbushë kërkesat e saj. Qëndrimi im për mos-nënshkrimin është përfundimtar. i gjithë procesi u krye në mënyrë të papërgjegjshme dhe të errët, dhe qeveria nuk pati forcën për të ndërtuar një qëndrim dhe konsensus të përbashkët”.

 

Më herët gjatë ditës, presidenti Ivanov pati një takim pak sekondësh me kryeministrin Zaev dhe ministrin e jashtëm Nikola Dimitrov. Ai nuk pranoi të dëgjonte shpjegimet e tyre duke thënë shkurt se kjo ishte marrëveshja e tyre personale, vendimi i tyre personal dhe përgjegjësia i mbetet po atyre.

 

Më herët gjatë ditës Zoran Zaev është përpjekur të negociojë edhe me kreun e partisë më të madhe opozitare në vend VMRO-DPMNE, i cili e quajti marrëveshjen një kapitullim për vendin. Gjatë takimit me Hristian Mickoskin, kryeministri Zaev tha se marrëveshja garanton të ardhmen e Maqedonisë si anëtare e NATO-s dhe BE, dhe I kërkoi opozitës t’i japin një shans qytetarëve që të shprehin mendimin e tyre nëpërmjet referendumit.

 

Kusht për përdorimin e emrit të ri, “Republika e Maqedonisë së Veriut” mbetet ratifikimi i marrëveshjes në parlamentet e dy vendeve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *