Presidenti i Hanoverit në Tiranë, takohet me Veliajn dhe bisedojnë për bashkëpunim
Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj priti në një takim Presidentin e Rajonit të Hanoverit, Steffen Krach, të cilit i dhuroi “Çelësin e Qytetit” në shenjë mirënjohjeje për mbështetjen ndaj shqiptarëve.
Veliaj nënvizoi lidhjen e veçantë mes Shqipërisë dhe Gjermanisë, edhe për shkak të shumë emigrantëve që jetojnë sot në Gjermani.
Shqipëria sot është më moderne, Tirana është më e hapur. Kur jam rritur unë, Gjermania ishte një ëndërr. Kur shikonim Altin Lalën që luante në Hanover, për ne ishte vizatimi i një ëndrre të bukur, që nuk dinim a realizohej. Sot më vjen mirë që takohemi si të barabartë! Jam shume i lumtur që Hanoveri është kthyer në një shtëpi për shumë shqiptarë, jo vetëm të Shqipërisë, por edhe të Kosovës dhe të Maqedonisë së Veriut. Por, duam që edhe ju ta cilësoni Tiranën si një shtëpi tuajën, si mirënjohje që vjen nga zemra jonë për faktin se e keni hapur rajonin e Hanoverit, duke i bërë njerëzit të ndihen si në shtëpinë e tyre, duke i trajtuar si të barabartë, e duke u dhënë mundësi të shkëlqejnë.
Presidenti i Rajonit të Hanoverit, nënvizoi se kjo është vizita e parë në Tiranë, por nuk do të jetë e fundit. Ai u angazhua gjithashtu për bashkëpunime të mëtejshme me Bashkinë e Tiranës.




