Presidenti i Shteteve të Bashkuara Joe Biden vizitoi shtetin e Kentakit të mërkurën për të parë personalisht shkatërrimin e shkaktuar nga tornadot që shkaktuan vdekjen e të paktën 74 personave dhe lanë mijëra vetë të pastrehë.

 

Zoti Biden u informua për përpjekjet e rimëkëmbjes pas stuhive që goditën Kentakin dhe shtetet fqinje të premten vonë dhe të shtunën herët. Ai pa dëmet e shkaktuara mbi qytetet Mayfield dhe Dawson Springs duke fluturuar mbi hapësirën e tyre dhe më pas eci në rrugët e mbushura me rrënojat, duke u takuar me të mbijetuar.

 

Presidenti ka premtuar fonde të shpejta federale për të ndihmuar komunitetet të rindërtohen, por me një shkatërrim aq masiv, përpjekja do të jetë njëlloj sikur të ndërtoheshin qytete të reja.

 

Në Mayfield, zoti Biden u informua nga guvernatori i Kentakit, Andy Beshear në lidhje me përpjekjen për rimëkëmbje.

 

“Tornadot nuk janë të kuqe ose blu,” tha ai, duke iu referuar ngjyrave që lidhen me demokratët dhe republikanët.

 

“Nuk kam parë ndonjëherë dëme kaq të mëdha nga një tornado,” tha ai, duke u thënë zyrtarëve lokalë, “mos hezitoni të kërkoni çfarëdo që ju duhet.”

 

Guvernatori Beshear tha të martën se më shumë se 100 njerëz rezultojnë të humbur në këtë shtet, shumica e tyre në Dawson Springs, një qytet me më pak se 3,000 banorë.

 

Në bordin e avionit Air Force One për në Kentaki, zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë Karine Jean-Pierre u tha gazetarëve:

 

“Mesazhi i presidentit sot është se ai dhe qeveria federale synojnë të bëjnë gjithçka që duhet për aq kohë sa duhet duke ofruar çdo mbështetje që është e nevojshme për të ndihmuar përpjekjet e rimëkëmbjes dhe për të mbështetur njerëzit e Kentakit dhe të shteteve të tjera të prekura.”

 

Udhëtimi i zotit Biden në Kentaki ishte i pesti që ai ka bërë gjatë 11 muajve si president për të parë shkatërrimin e shkaktuar nga dukuritë ekstreme të motit të cilat u atribuohen të paktën pjesërisht ndryshimeve klimatike./ VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published.