Presidenti Biden u drejtohet udhëheqësve të vendeve të NATO-s, thekson mbështetjen e hekurt për aleancën

Presidenti Joe Biden iu drejtua udhëheqësve të vendeve të NATO-s gjatë fjalimit të tij në samitin që po mbahet në Uashington, duke vënë në pah unitetin e aleancës kundër agresionit rus në Ukrainë.
“Ne jemi në gjendje ta pengojmë agresionin dhe të mbrojmë territorin e NATO-s në çdo fushë: tokë, ajër, det, hapësirë. Miqtë e mi është mirë që të jemi më të fortë se kurrë, sepse ky moment në histori kërkon forcë kolektive. Në Evropë lufta e agresionit e Putinit vazhdon dhe Putini nuk dëshiron asgjë më pak se nënshtrimin total të Ukrainës për t’i dhënë fund demokracisë së Ukrainës”, tha Biden.
Biden sqaroi planet për t’i ofruar Ukrainës ndihma të reja ushtarake.
“Sot shpall dhurimin historik të pajisjeve të mbrojtjes ajrore për Ukrainën. Shtetet e Bashkuara, Gjermania, Holanda, Rumania dhe Italia do t’i ofrojnë Ukrainës pajisjet për pesë sisteme shtesë strategjike të mbrojtjes ajrore. Dhe në muajt e ardhshëm, Shtetet e Bashkuara dhe partnerët tanë synojnë t’i ofrojnë Ukrainës dhjetëra sisteme shtesë të mbrojtjes ajrore taktike”, shtoi ai.
Ndërkohe presidenti ukrainas Volodymir Zelensky kërkoi veprim të shpejtë nga aleanca dhe SHBA-ja në veçanti.
“Bota është e aftë t’i bëjë gjerat e duhura, kur ne të gjithë veprojmë mjaftueshëm të fortë, mjaftueshëm të vendosur. Dhe kjo duhet të jetë strategjia jonë, pikërisht kjo dhe pikërisht tani, me gjithë fuqinë amerikane që asnjë Putin mund ta zmbrapsë”, tha Zelensky.
Në takimin e NATO-s në Uashington marrin pjesë udhëheqësit e 32 vendeve anëtare të aleancës dhe partnere si Australia, Japonia, Zelanda e Re dhe Koreja e Jugut, si dhe Ukraina. /vizionplus.tv




