Javën e shkuar, OPEC+ vendosi të ulë prodhimin e naftës me 2 milionë fuçi më pak në ditë, pavarësisht kundërshtimit të SHBA-ve, duke nxitur disa ligjvënës amerikanë të kërkojnë veprime të ashpër kundër Arabisë Sauditë, që udhëheq organizatën e vendeve eksportuese të naftës.

 

Presidenti Joe Biden tha se ai do të punojë me Kongresin mbi këtë çështje, kur ligjvenësit amerikanë të kthehen në Uashington pas zgjedhjeve të nëntorit

 

“Ne do të reagojmë ndaj Arabisë Saudite dhe do të zhvillojmë konsultimet pas zgjedhjeve për Kongresin. Ne do të marrim masa”, tha Presidenti Joe Biden.

 

Dy ligjvënës demokratë kanë paraqitur tashmë një projektligj për ndalimin e shitjes së armëvë amerikane për Arabinë Saudite, pasi gjykojnë se Riadi ka luajtur rol kryesor në vendimin e OPEC + për të ulur prodhimin e naftës, teksa Rusia vijon agresionin në Ukrainë.

 

“Nuk është një çështje që ka të bëjë vetëm me vendimin për uljen e prodhimit të naftës. Presidenti duhet dëgjuar me kujdes. Ne e gjykojmë këtë projekligj të arsyeshëm. Ai drejtohet ndaj një vendimi të veçantë, që vërtetoi se marrëdhënia është e njëanshme”, thotë senatori demokrat, Richard Blumenthal.

 

Arabia Saudite thotë se organizata OPEC + miratoi unanimisht vendimin bazuar në kritere ekonomike. Organizata OPEC+ përfshin 23 vendet kryesore eksportuese të naftës, që përcaktojnë sasinë e shitjeve në tregun botëror. Në aleancë bën pjesë edhe Rusia.

 

Ligjvënsi tjetër bashkëpropozues i projekligjit, Ro Khanna tha se Arabia Saudite mori vendimin e gabuar për të qenë në krah të Rusisë ndoshta nxitur nga përvoja me administratën e shkuar të ish Presidentit, Donald Trump.

 

“Unë besoj se Arabia Saudite i ka bërë llogaritë gabim në këto dy vitet e fundit dhe kjo ndoshta ndodh, sepse ish Presidenti Donald Trump u dha atyre dorë të lirë. Ajo që Presidenti Biden po përpiqet të bëjë është thjesht të kthehejë ekuilibrin e duhur”, thotë senatori demokrat Ro Khanna.

 

Nën udhëheqjen e Princit të Kurorës dhe Kryeministrit Mohammed bin Salman, Arabia Saudite nuk është më një aleat i Shteteve të Bashkuara, i tha Zërit të Amerikës Aaron David Miller, studiues pranë Fondacionit “Carnegie” për Paqen Ndërkombëtare dhe ish negociator për Lindjen e Mesme.

 

“Me vendimin për të ulur prodhimin e naftës, Princi i Kurorës së Arabisë Sauditë praktikisht dëmtoi pozicionin politik të Presidentit Biden, para zgjedhjeve të nëntorit. Në të njëjtën kohë, duke mbështetur politikisht dhe financiarisht Presidentin Vladimir Punin, Riadi zhvlerësoi përpjekjet e presidentit amerikan dhe të bashkësisë ndërkombëtare, për ta izoluar Putinin për shkak të agresionit në Ukrainë”, thotë Aaron David Miller, analist dhe ish negociator për Lindjen e Mesme.

 

Senatorët republikanë nuk kanë qenë aq të zëshëm në lidhje me marrjen e masave kundër Arabisë Saudite, edhe pse në të shkuarën, disa kanë folur mbi abuzimet e mbretërisë ndaj të drejtave të njeriut, tha për Zërin e Amerikës, Brian Katulis, zëvendës president i politikave në Institutin e Lindjes së Mesme.

 

“Disa nga senatorët që përfaqësojnë shtete që prodhojnë gaz në Shtetet e Bashkuara ishin thellësisht të shqetësuar rreth dy vjet më parë kur Arabia Saudite dhe OPEC+, morën disa vendime që çuan në një rënie të ndjeshme të çmimit të naftës. Mendoj se në një pikëpamje më të gjërë marrëdhënia mes SHBA-ve dhe Arabisë Saudite nuk ka një themel të qëndrueshëm”, thotë Brian Katulis.

 

Shtëpia e Bardhë i ka hedhur poshtë kritikat lidhur me vizitën e Presidentit Biden në Arabinë Saudite gjatë muajit korrik, duke u shprehur se vizita nuk kishte të bënte me naftën, por synonte të dëshmonte angazhimin e vazhdueshëm të SHBA-ve në Lindjen e Mesme.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *