Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj priti sot nxënësit e shkollës 9-vjecare “1 Maji” të Beratit.

Për nder të pritjes nga Kreu i Shtetit, nxënësit e kësaj shkolle dhuruan momente të veçanta përmes një programi artistik të shfaqur në Institucionin e Presidentit të Republikës.

Me interpretimet e tyre në poezi, këngë e kërcim, ata shfaqën talentin e kultivuar në shkollë, duke dëshmuar përkushtimin e stafit të mësuesve ndaj nxitjes së pasionit për artin e kulturën.

Një tjetër element i shfaqjes ishte edhe paraqitja e artistëve të vegjël me veshje kombëtare, në ruajtje të traditës.
Nxënësit e shkollës “1 Maji” ekspozuan në Presidencë punimet e tyre në pikturë.

Presidenti Begaj ndau me nxënësit impresionet për këtë takim, ndërsa u kujdes t’u shprehte atyre këshilla jo vetëm për nxënien e dijes, por dhe për ndjekjen e ëndrrave, pasioneve dhe talenteve.

“Ju inkurajoj të vijoni të jeni nxënës të mirë, të lexoni e të studioni sa më shumë dhe të ndiqni të gjitha ëndrrat, talentet e dëshirat tuaja.
Vijoni me pasionet letrare, shkencore, artistike, sportive dhe besoni në idetë tuaja! Përdoreni energjinë, kureshtjen dhe vullnetin e moshës suaj për të zbuluar mrekullinë e dijes, e do të shikoni se çdo ëndërr do të jetë e realizueshme!”, – u shpreh Presidenti i Republikës, duke falënderuar përzemërsisht mësuesit dhe prindërit e nxënësve për përkushtimin ndaj brezit të ri. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *