Disa media amerikane raportojnë se presidenti Donald Trump po hetohet nga prokurori special Robert Mueller për pengim të mundshëm të drejtësisë. Lajmin e publikoi fillimisht “Washington Post”, e cila citon zyrtarë të paidentifikuar, që thonë se hetimi lidhet me ndikimin rus në zgjedhjet presidenciale dhe raportet e pjesëtarëve të fushatës së tij me rusët. Mueller po drejton hetimin e FBI për përfshirjen e mundshme të Rusisë në zgjedhje. Pas gazetës edhe “New York Times” dhe “Wall St Journal” raportuan të njëjtën gjë, duke iu referuar burimeve të tyre.

 

Zyrtarë të shërbimeve sekrete do të intervistohen nëse Trump u përpoq të ndalojë hetimin e ish-këshilltarit të tij të sigurisë Michael Flynn dhe për shkarkimin e ish-shefit të FBI, James Comey, shkruan “Washington Post”. Hetimi sipas gazetës, ka nisur disa ditë pasi Trump shkarkoi Comeyn dhe nëse rezulton i vërtetë do të shënonte një kthesë të madhe në gjithë rrjedhën e hetimeve për çështjen e Rusisë. Pengimi i drejtësisë është vepër penale në SHBA.

 

Skuadra ligjore e presidentit reagoi, duke thënë se këto lajme janë fyese, ndërsa Trump beri një koment ne rrjetet sociale. “Jeni dëshmitarë të gjuetisë më të madhe të shtrigave në historinë e politikes amerikane, të drejtuar nga njerëz shumë të keq dhe ngatërrestarë. Sajuan një marrëveshje të fshehtë me rusët por nuk kishin prova dhe tani kanë një histori hipokrite me pengimin e drejtësisë”, shkroi Trump në Twitter. Dy ditë më parë qarkulluan në media edhe lajmet se shefi i Shtëpisë së Bardhë po merr në konsideratë shkarkimin e prokurorit special, i emëruar pak kohë më parë nga Departamenti i Drejtësisë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *