Takimi i nivelit të lartë mes presidentit të Kosovës Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiç pritet të mbahet më 18 korrik. Data është konfirmuar nga zyra e shefes së diplomacisë europiane Federica Mogherini. Kjo fazë e dialogut është cilësuar e rëndësishme për shkak se pritet të hidhen hapat drejt arritjes së një marrëveshjeje përfundimtare. Sipas palës kosovare, dy vendet mund të arrijnë edhe njohjen reciproke. Ndërkohë për dialogun ka patur edhe reagime nga Lugina e Preshevës. Krerët shqiptare atje kanë kërkuar përfshirjen në fazën finale të dialogut me Serbinë. Të nxitur nga gjendja jo e mirë e tyre dhe shkeljet e të drejtave, ata kanë paralajmëruar mbajtjen e një seance të jashtëzakonshme ditën e shtunë të tre komunave me shumicë shqiptare, Preshevës, Bujanocit dhe Medvegjës, vendimet e së cilës do t’i dërgohen edhe komunitetit ndërkombëtar.





