Mijëra myslimanë në Mianmar vazhdojnë shpërnguljen për t’i shpëtuar dhunës. Mbi 400 persona, mes tyre gra dhe fëmijë humbën jetën në përleshjet midis forcave të sigurisë dhe pakicës myslimane, ndërsa fshatrat ku ata jetojnë janë shkrumbuar.

 

OKB njofton se i druhet një katastrofe humanitare. Nga ana tjetër, policia e Bangladeshit ka injoruar urdhrat e qeverisë për të parandaluar njerëzit që i janë afruar kufirit. Vetëm gjatë 24 orëve të fundit, 20 mijë myslimanë kanë kaluar ne Bangladesh. Sipas të dhënave të agjencisë ndërkombëtare të refugjatëve, që nga shpërthimi i dhunës 60 mijë pjesëtarë të këtij komuniteti janë shpërngulur në vendin fqinj.

 

Ushtria e Mianmarit fajëson militantët për djegien e mijëra shtëpive, por pjesëtarë të pakicës myslimane dëshmojnë të kundërtën. “Human Rights Watch”, duke iu referuar pamjeve satelitore që tregojnë nivelin e shkatërrimeve në fshatrat myslimane, jep alarmin se gjendja është shumë më e rëndë nga sa mendohej.

 

Pakica myslimane prej më shumë se 1 milionë banorësh në Mianmar është ndër më të shtypura në botë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *