Posterat dixhital të Partisë Socialiste për zgjedhjet vendore të 14 majit kanë ngjallur mjaft reagime e lidhur me këtë dy fjalë i ka dhe kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Elbasanin, Luçiano Boçi.

 

Boçi shprehet se shteti po shkel ligjin në mënyrë arrogante si një paralajmërim negativ për zgjedhjet e ardhshme.

 

“Dy fjalë për posterat e PS-së që pyesin “a qesh bukur Edi Rama?”

 

Prej disa ditësh fytyra e Edi Ramës shkëlqen paligjshëm në postera të mëdhenj dhe në billboard-et e qytetit të Elbasanit, bashkë me sloganin e fushatës së PS. Shteti që shkel ligjin në mënyrë arrogante dhe në mes të ditës është një paralajmërim shumë i keq për zgjedhjet e afërta”, shprehet ai.

 

 

Në të njëjtën kohë, Boçi akuzon kundërshtarët se po kërcënojnë me bukën e gojës qytetarët për të siguruar vota.

 

“Ajo që po ndodh është dramatike në raport me standartet e zgjedhjeve, ndërsa njerëz pranë opozitës fotografohen, telefonohen, kërcënohen me bukën e gojës. Kërcënimet prekin edhe familjarët, punën e vëllait e të motrës, biznesin e dhëndrrit dhe jetën e kushërinjve të afërt. Në të paktën një rast opozita ka dëshmuar me prova edhe blerje votash me cash dhe të gjitha këto, përfshi dy padi penale për drejtorë të lartë të bashkisë Elbasan, do të shkojnë në SPAK, pavarësisht gjithçkaje.

 

Ndërkohë një mazhorancë që shkel ligjin ditën për diell, ka javë që e ka zhvendosur interesin publik nga debati thelbësor “si qeveriset qyteti”. Posteri i PS-së ngren vetëm pyetjen “a qesh bukur Edi Rama?”.

 

Përgjigja e opozitës mbetet proverbiale “qesh mirë kush qesh i fundit”, thekson Boçi.

 

 

Përmes këtij reagimi, Boçi iu bën thirrje qytetarëve që të mos ndahen në të majtë dhe të djathë, pasi sipas tij varfëria nuk mund të luftohet në këtë formë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *