Sekretari amerikan i Shtetit, Mike Pompeo gjatë vizitës së tij në Shkup ka përgëzuar Maqedoninë e veriut për hapat e ndërmarrë në përmbushjen e reformave.

 

Gjatë një konference për shtyp me kryeministrin Zoran Zaev, Pompeo paralajmëroi edhe rrezikun që i kanoset rajonit nga ndikimi rus.

 

“I mirëpresim hapat që Qeveria juaj ka bërë për të luftuar korrupsionin dhe për të inkurajuar llogaridhënie më të madhe për secilin që ka abuzuar me besimin publik. Luftimi i korrupsionit është kritik për fillimin e negociatave me BE-në dhe anëtarësimin në NATO por edhe më e rëndësishme është për qytetarët tuaj. Zemrat dhe mendjet e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut duhet të drejtojnë vendin tuaj përpara dhe jo ndikimet ruse në mediat sociale. Gjithashtu ju paralajmëroj për rrezikun e investimeve kineze në sensin e teknologjisë dhe strategjinë e tyre për të siguruar marrëveshje infrastrukturore.”

Ndërsa kryeministri Zaev premtoi angazhimin e mëtejshëm të vendit drejt integrimit.

 

 “Jemi të gatshëm që me ritëm edhe më të ndjeshëm të marrim pjesë në të gjitha iniciativat globale për konfrontim me dezinformatat dhe kërcënimet e demokracisë. Me anëtarësimin tonë të plotë në NATO, angazhimi jonë në këtë drejtim do të marrë nxitje dhe dimension të fuqishëm. Anëtarësimi në NATO është vendimi jonë sovran për të cilën ka mbështetje mbipartiake dhe konsensus ndëretnik. Kjo për ne nënkupton arritjen e një qëllimi historik.”

 

Sekretari Pompeo ka takuar edhe presidentin e vendit Stevo Pendarovski si dhe ministrin e jashtëm Nikola Dimitrov. Më herët gjatë ditës, Mike Pompeo ishte në Malin e Zi, ku u takua me presidentin Milo Djukanovic dhe kryeministrin Dusko Markoviç.

 

“ShBA e shikojnë Malin e Zi si një lider në luftën kundër korrupsionit, forcimin e sundimit të ligjit dhe lirinë e mediave dhe se me ndihmën e ShBA, Mali i Zi do të trajtojë sulmet kibernetike nga Rusia”.

 

Ndërsa kryeministri Markoviç, e cilësoi historike vizitën e Pompeos në Mal të zi.

 

“Vizita e Sekretarit amerikan të Shtetit, Mike Pompeo në Mal të Zi është historike. Pas vizitës së zotit Mike Pence, kjo është dëshmi e marrëdhënieve të shkëlqyera midis dy vendeve dhe se SHBA vlerësojnë aleancën tonë dhe rolin konstruktiv në rajon. Kjo vizitë është një shenjë e angazhimit të SHBA në rajonin tonë, sigurinë, stabilitetin”

 

Sekretari amerikan i shtetit do ta mbyllë turin e tij në Athinë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *