Kryeministri polak, Mateusz Morawiecki ka fajësuar Gjermaninë si “frenuesen më të madhe” kur është fjala për negociata rreth zgjerimit të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë, për pushtimin e paprovokuar të Ukrainës.

 

Ndonëse Gjermania i është bashkuar bllokut evropian në vendosje të sanksioneve ndaj Kremlinit në disa fusha, ky vend ka refuzuar thirrjet për embargo ndaj importeve ruse të energjisë. Morawiecki i ka bërë thirrje kancelarit gjerman, Olaf Scholz që të ndërrojë qëndrimin rreth sanksioneve.

 

“Nuk janë zërat e kompanive gjermane, të miliarderëve gjermanë – të cilët janë duke ju dekurajuar juve nga veprimet e mëtejme – që duhet dëgjuar sot zëshëm në Berlin”, ka thënë lideri konservator në një konferencë për media në Varshavë.

 

“Janë zërat e këtyre grave dhe fëmijëve të pafajshëm, zërat e atyre që janë vrarë, të cilët duhet të dëgjohen nga të gjithë gjermanët dhe nga të gjithë politikanët gjermanë”, ka thënë ai.

 

Ai ka kritikuar edhe pasardhësen e Scholzit, Angela Merkel.

 

“Zonja kancelare, ju keni qenë e heshtur prej nisjes së luftës. Është politika e Gjermanisë në 10-15 vjetët e fundit që ka rezultuar me fuqinë e Rusisë sot, e cila është e bazuar në monopolin në lëndën e parë”, ka thënë ai.

 

Edhe tani, Qeveria gjermane është duke frenuar procesin, kur bëhet fjalë për sanksione të BE-së kundër Moskës, ka thënë Morawiecki.

 

“Kjo gjë është evidente nga minutat e para të takimeve të BE-së. Secili që lexon transkriptet e di se Gjermania është frenuesja më e madhe kur është fjala për sanksione më të ashpra”.

 

Disa zyrtarë gjermanë kanë ritheksuar kundërshtimet e Berlinit për embargo në energjisë ruse në 24 orët e fundit./R.E.L

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *