Polonia tha të mërkurën se nuk do ta furnizojë më Ukrainën me armatime ndërsa vazhdojnë mosmarrëveshjet mes dy vendeve për importin e ushqimeve. Siç njofton korrespondenti i Zërit të Amerikës, Henry Ridgwell, analistët druhen se mosmarrëveshja po nxjerr në pah qëndrimet e ndryshme evropiane në një moment kritik për konfliktin në Ukrainë.

Deri tani, Polonia ka qenë një nga aleatët më të ngushtë të Ukrainës, duke pranuar mbi një milion refugjatë dhe duke i ofruar Kievit mbështetje të konsiderueshme ushtarake, përfshirë tanke dhe avionë luftarakë të tipit MiG-29.

Por mes përshkallëzimit të një mosmarrëveshje, Kryeministri polak Mateusz Morawiecki tha të mërkurën se nuk do të kishte dërgesa të reja armatimesh për Ukrainën.

“Nuk po transferojmë më asnjë armë në Ukrainë, sepse tani po armatosemi vet me armët më moderne”.

Momenti dhe toni i kryeministrit habiti shumë nga aleatët e Polonisë.

“Bëri një jehonë shumë negative në botë. Për një qytetar të zakonshëm ukrainas kjo do të thotë se polakët do të ndalojnë së ndihmuari ata”, thotë analisti Marcin Zaborowski, me organizatën GLOBSEC.

Polonia ka luajtur një rol kyç në furnizimin e Ukrainës me armatime. Zëri i Amerikës bisedoi me analistin Patrick Bury nga Universiteti Bath.

“Polonia zhvilloi fushatë për ta mbështetur Ukrainën me armatime të rëndësishme, duke ndikuar tek Gjermania dhe Britania për dërgimin e tankeve në Ukrainë. Bëri fushatë për furnizimin e Ukrainës me avionë”.

Mosmarrëveshja e ka burimin tek importi i grurit ukrainas. Polonia, Hungaria dhe Sllovakia vendosën bllokimin njëanshtëm të importit javën e kaluar, duke thënë se po dëmtoheshin fermerët e tyre, pas skadimit të kufizimeve të përkohshme nga Bashkimi Evropian.

Ukraina paraqiti një ankesë në Organizatën Botërore të Tregtisë. Presidenti Volodymyr Zelenskyy e kritikoi ashpër vendimin e tre vendeve evropiane duke thënë se kjo ndihmonte Moskën.

Polonia thirri për qortim ambasadorin ukrainas. Presidenti polak Andrzej Duda e krahasoi Ukrainën me një njeri që po mbytet.

“Sigurisht, ne duhet të veprojmë në një mënyrë që të mbrohemi nga dëmi që shkakton ai që po mbytet, sepse sapo njeriu që po mbytet të na lëndojë, nuk do të ketë më ndihmën tonë”.

Ministri i Bujqësisë i Ukrainës tha të enjten se kishte rënë dakord me homologun e tij polak për të gjetur një zgjidhje lidhur me mosmarrëveshjen tregtare. Shtetet e Bashkuara e minimizuan mosmarrëveshjen. Analistët thonë se ka të ngjarë që Rusia po sheh të çara në unitetin e Perëndimit.

“Nuk është një tregues i mirë, dhe sigurisht që Rusia do ta shohë si të tillë. Pyetja qëndron, a do të shfaqen më shumë dallime apo ky është fundi?”, thotë analisti Patrick Bury nga Universiteti Bath.

Muajin që vjen në Poloni do të zhvillohen zgjedhjet Ndërkohë, Presidenti Volodymyr Zelenskyy po vazhdon një riorganizim të thellë të qeverisë. Analistët thonë se politikat e brendshme janë burim i tensioneve./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *