Politologu Ermal Hasimja tha se edhe Partia Socialiste edhe Partia Demokratike janë të interesuara që SPAK të mos tolerohet.
Në një lidhje të drejtëpërdrejtë në edicionin qendror të lajmeve në Vizion Plus me Aleksandër Furxhi, Hasimja u shpreh se arsyet e armiqësisë nga mazhoranca dhe opozita ndaj SPAK janë të qarta, pasi Prokuroria e Posaçme ka goditur nga të dyja krahët.
Sa i përket se cila palë është më e interesuar që SPAK të rimodelohet, politologu tha se është mazhoranca, për faktin që është në pushtet si dhe për skandalet e vazhdueshme që po dalin nga kjo parti.
Intervista e plotë:
Të dyja palët politike janë të pakënaqura me SPAK. Si mund të kuptohen arsyet e secilës palë për këtë armiqësi?
Hasimja: Arsyet janë të qarta, SPAK-u ka goditur nga të dyja anët, qoftë në rastin e Berishës, qoftë në PS, sepse këtu problemi është kolektiv. Rilindja po e menaxhon pak më mirë situatën, sepse sulmin e kanë të lokalizuar, si në rastin e Veliajt, ku akuzojnë prokurorin dhe gjyqtarin. Ndërkohë, Berisha e ka më të përgjithshëm dhe e ka kundërshtuar që në fillim. Është normale që këto dy partitë kryesore të kenë rezistencë ndaj vendosjes së sistemit të drejtësisë, pasi për vite me radhë ka mbizotëruar natyra e pandëshkueshmërisë.
Cila palë është më e interesuar që SPAK të rimodelohet?
Hasimja: Nga fakti që është në pushtet dhe nga të gjitha skandalet që kanë dalë dhe vazhdojnë të dalin, pala më e rrezikuar është mazhoranca. Sot, Rama ka kryer një akrobaci shumë interesante politike duke thënë se Berisha do ta shkrijë SPAK-un dhe se ne do ta mbrojmë. Gjë që s’ka asnjë kuptim duke marrë parasysh sulmet që i janë bërë SPAK-ut. Prokuroria e Posaçme është më e rrezikuar nga PS, madje shumë herë më e rrezikuar, dhe dëshmia për këtë është dhënë përmes komisionit Xhafaj. Në thelb, është i njëjti problem. Nga ana tjetër, po ndodh një gjë e natyrshme: Rilindja është goditur në mënyrë të vazhdueshme dhe rëndë, duhet thënë. Mendoj që nuk ka asnjë lloj sinqeriteti, të dyja palët janë të interesuara që SPAK të mos tolerohet.
SPAK është krijuar para 5 vitesh, ka hetuar, ka nxjerrë të pandehur si dhe ka dënuar shumë zyrtarë nga të dyja krahët. Por, sot me erën që po fryn nga Uashingtoni, çfarë mund të pritet prej SPAK apo me SPAK?
Hasimja: Era që fryn nga Uashingtoni nuk i dihet drejtimi. Nëse do të ishte një situatë normale, do ta kishim më të thjeshtë, sepse do të mendonim se do të kishte një lloj vazhdimësie të qëndrimeve amerikane. Mjafton të shohësh çfarë po ndodh mes Amerikës dhe Evropës dhe e kupton. Ndryshime mund të ketë edhe në Shqipëri. Nga njëra anë kemi përpjekje për ta mbajtur mirë me Amerikën, siç është rasti i Sazanit, dhe nga ana tjetër kemi faktin që Soros ka dalë nga loja dhe Trump është si kundërshtari i tij. Është diçka e paparashikueshme. Gjërat, në raport me SPAK-un, do të vendosen në kuadër të çështjeve të brendshme politike këtu.
/vizionplus.tv