Subscribe

Edhe pse jo ligjërisht, partitë politike jane hedhur në fushatë zgjedhore. Dhe për ta përballuar atë financiarisht në ndihmë iu vjen Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Ilirjan Celibashi është gati që t’u shpërndajë partive lekët që qeveria ua jep çdo vit.

Që pas parlamentareve të 2021-it, që përcakton sasinë e lekëve që arkëton secila parti në bazë të numrit të deputetëve dhe votave, shuma është e njëjtë. Ndryshimi për këtë vit është se partitë janë më të uritura për lekë pasi 2024 është një vit zgjedhor.

Si forca me numrin më të madh të kartonëve në parlament Partia Socialiste do të ketë në dispozicion mbi 151 milionë lekë për të shpenzuar.

Me një diferencë jo të thellë është ajo demokratike, me mbi 106 milionë lekë. Ndryshimi me socialistët është se paratë shkojnë të gjitha në arkën e Lulzim Bashës, që sot e mbështet një pakicë deputetësh demokratë. Kjo do të thotë që edhe për këtë vit mbështetësit e dy grupimeve Gazmend Bardhit dhe Sali Berishës do të mbeten duarbosh.

Në arkën e Partisë së Lirisë, KQZ do të derdhë mbi 15 milionë lekë. Pas tre të mëdhenjve vjen Tom Doshi. Tre deputetët e tij social-demokratë vlejnë mbi 12 milionë lekë.

Nga buxheti i shtetit për politikën përfitues janë edhe parti me zero përfaqësi në parlament. Këtë ua mundëson ligji.Mjafton që të kenë marrë mbi 10 mijë vota në zgjedhjet e fundit dhe arka e tyre mbushet me para. Për shembull për “Nisma Thurje” mbi 6 milionë lekë.

Nga torta prej 345 milionë lekësh përfituese janë 11 parti. Për dhjetë prej tyre financierët e kanë më pak të komplikuar shpenzimin e buxhetit vjetor. Te Partia Demokratike e Lulzim Bashës do të duhet të presim fundin e marsit, kur dorëzohet bilanci i një viti më parë, për të kuptuar sesi do t’i harxhojë 106 milionët e rradhës. /vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *