Policia ka arritur të zbardhë dhe të dokumentojë vjedhjen e ndodhur më 29 korrik 2019 në Babrru.

 

Sipas policisë janë arrestuar shtetasit F. Ll., 36 vjeç, lindur në Mirditë dhe banues në Fushë Mëzes/Tiranë (proceduar më parë për “Kalim të paligjshëm të kufirit); dhe E. C., 35 vjeç, lindur dhe banues në Tiranë. Po ashtu është shpallur në kërkim shtetasi E. C., 37 vjeç lindur dhe banues në Tiranë.

 

Këta shtetas, sipas uniformave blu, në bashkëpunim me njëri-tjetrin më datë 29 korrik 2019, në Babrru kanë hyrë në banesën e shtetasit B.M. dhe kanë vjedhur automjetin e këtij të fundit si dhe kasafortën me një sasi të konsiderueshme eurosh.

 

Në momentin e kapjes, shërbimet e Komisariatit të Policisë nr 5, gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale mjetin e vjedhur në pronësi të shtetasit B. M., si dhe një mjet tjetër me të cilin këta shtetas lëviznin.

 

Ndërkohë po punohet nga radhët e uniformave blu për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë veprimtari kriminale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *