Një tjetër rast i kultivimit të lëndës narkotike në zona të pyllëzuara është evidentuar nga policia. Këtë herë në Kurbin, policia ka asgjësuar mbi 2 mijë e 500 bimë narkotike kanabis.

 

Kontrollet policore janë shtirë në disa fshatra, ndërsa kjo është faza e nëntë e këtij operacioni.

 

“Si rezultat i kontrolleve, në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Dibër dhe me kolegët e GDF-së, u organizua dhe u finalizua faza e nëntë e megaoperacionit “Imazhi”, në kuadër të së cilës: në fshatin Skuraj, Kurbin, në një zonë të pyllëzuar dhe të vështirë malore, u gjetën 2215 bimë narkotike cannabis sativa, në fshatrat Fushë Kuqe dhe Gërnac, Kurbin, u gjetën 337 bimë narkotike cannabis sativa dhe në fshatin Kolsh, Lezhë, u gjetën 31 bimë narkotike cannabis sativa”, njofton policia.

 

Më herët policia ka asgjësuar mbi 12 mijë bimë narkotike kanabis. Si pasojë tre persona janë vënë në pranga, si dhe një tjetër është shpallur në kërkim, pasi dyshohen si autorë të kësaj veprimtarie.

 

Gjatë 8 fazave të mëparshme të këtij megaoperacioni, në fshatra të ndryshme të qarkut, u asgjësuan në total 12.196 fidanë dhe bimë narkotikë, si dhe u vunë në pranga 3 shtetas dhe u shpall në kërkim 1 tjetër, autorë të dyshuar të kësaj veprimtarie kriminale.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *