Pas urdherit të lëshuar nga Drejtori I Policisë, Gledis Nano për kontrolle të vazhdueshme në kuadër të rritjes së sigurise rrugore, uniformat blu dhe sidomos sherbimet e policisë rrugore, prej mbrëmjes së të dielës kanë kryer shumë kontrolle në të gjithë vendin.

 

Si rezultat janë pezulluar 79 leje drejtimi, nga të cilat 39 për shpejtësi (të matura me radarët automatikë), 29 për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit apo në gjendje të dehur dhe 11 për qarkullim në sens të kundërt.

 

Janë arrestuar në flagrancë 16 drejtues mjetesh, nga të cilët 10 për drejtim mjeti në gjendje të dehur dhe 6 për drejtim mjeti pa leje drejtimi.

 

Gjatë mbrëmjes së djeshme dhe orëve të para të mëngjesit të sotëm janë vendosur 2874 masa administrative, për shkelje që janë burim potencial për përfshirje në aksidente rrugore, konkretisht për mosvendosje të rripit të sigurimit,  për përdorim të celularit gjatë drejtimit të mjetit, për parakalime të gabuara, për mosdhënie përparësie këmbësorëve, për gara shpejtësie e manovra të rrezikshme, për drejtim mjeti nën efektin e alkoolit e shpejtësi tej normave të lejuara dhe për mosvendosje të kaskës mbrojtëse nga drejtuesit e motomjeteve. 

 

Policia bën të ditur se kontrollet intensive, duke vënë në përdorim të gjitha mjetet logjistike bashkëkohore, do të vijojnë jo me aksione, por si punë e përditshme, me qëllim parandalimin e  aksidenteve rrugore.

Leave a Reply

Your email address will not be published.