20 kamera të tjera sigurie që i shërbenin grupeve kriminale në Shkodër u hoqën nga policia këtë të enjte.

 

Pajisjet përgjuese ishin instaluar në shtylla të ndryshme elektrike në zonat më të frekuentuara të kryeqendrës veriore, kryesisht në lagjet “Dobraç”, “10 Korriku” dhe “Daniel Matlia”. Kamerat e sigurisë dyshohet se ishin të lidhura me celularë dhe përdoreshin për të monitoruar lëvizjet në këto hapësira.

 

Por ende nuk dihet se kush janë personat që i kanë vendosur, ndërsa një nga grupet që vepron në lagjen “Dobraç” është ai i Bajrave.

 

Pesë kamera sigurie u hoqën dhe në Mirditë. Pajisjet që u çmontuan ishin gjithashtu të lidhura me aparate celularë ndërsa nuk dihet se kush i ka vendosur.

Ndërkohë në Zejmen të Lezhës u hoqën 4 kamera dhe u vendos nën hetim një grua për cenim të privatësisë.

 

Aksioni “Fijet” u shtri dhe në Dibër ku u zbuluan 5 kamera të vendosura nga 3 persona.

 

Deri më tani janë hequr afro 490 kamera sigurie, ndërsa mes personave nën hetim ka dhe pjesëtarë të grupeve të ndryshme kriminale. Por përveç hetimeve në gjendje të lirë, policia nuk ka arritur të shkojë deri tek serverët e këtyre pajisjeve.

 

Kamerat e sigurisë u lejohen institucioneve shtetërore, bankave, shkollave si dhe bizneseve që kanë më shumë se 50 të punësuar. Në të gjitha këto raste duhet të bëhet një kërkesë zyrtare shoqëruar me planimetrinë e objektit, pranë komisariateve, para se pajisjet monitoruese të vendosen. Leja më pas aprovohet nga Drejtoria e Policisë.

 

Ndërkohë të gjithë personat që duan të vendosin kamera sigurie brenda mjediseve të tyre private, nuk kanë nevojë për leje nga institucioni, për sa kohë nuk cenojnë hapësirën publike.

Deri më sot, autoritetet kanë dështuar me kontrollin e territorit, duke lejuar grupet kriminale që të vendosin pajisje monitoruese në të gjitha rrugët dhe sheshet kryesore të qyteteve.

 

 

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *