Subscribe

20 punonjësit e sigurisë portuale dhe kompanisë “BanaKing”, që u arrestuan për kontejnerin ku mungonin 49 arka me banane dolën këtë të martë para trupit gjykues për tu njohur me masën e sigurisë.

 

Seanca u zhvillua me dyer të mbyllura, ndërsa mësohet se të gjithë personat e ndaluar mohuan të kenë dijeni per ngjarjen.

 

Por pavarësisht qëndrimit të mbajtur, trupi gjykues vendosi burg pa afat për tetë prej të akuzuarve ndërsa për 12 të tjerët hetim në gjendje të lirë.

 

 

Ndaj tyre rëndon akuza “shpërdorim detyre”, “kontrabanda me mallra te tjera” dhe “thyerja, heqja, zëvendësimi i shenjave të sigurisë së autoriteteve doganore” kryer në bashkëpunim. Por hetuesit nuk kane ende prova konkrete nëse në kontejnerin e ardhur nga Amerika Latine kishte lëndë narkotike.

 

Ngarkesa kishte mbërritur në portin e Durrësit në datë 8 korrik. Por prej tetë ditësh askush nga kompania nuk ishte paraqitur për të marrë porosinë deri në ditën ku kontejneri u konstatua i hapur.

 

Nga këqyrja e kamerave të sigurisë, agjentët e antidrogës mësohet se nuk kanë arritur të kapin asnjë pamje, pasi kontejneri ka qenë jashtë zonës së mbulimit.

 

Organi i akuzës konstatoi se ngarkesa ishte vendosur tek zona anësore buzë rrugës dhe jo tek vendi i kontenierve me risk, ku vendosen mallrat e ardhur nga vendet e amerikës latine.

 

Ngarkesa me banane dyshohet të jetë hequr gjatë natës pasi në datë 13 dhe 14 korrik në shërbim ka qenë vetëm një punonjës sigurie nga dy që duhet të jenë. Për këtë arsye zona ku ishte vendour kontenieri nuk ka pasur roje.

 

Sipas prokurorisë, po në datë 13 gjatë orëve të mbrëmjes kontenieri me 1200  arka banane është lëvizur nga autoritetet portuale nga kati i parë në të tretin.

 

Policia dhe prokuroria e Durrësit dyshojne se kontejneri është manipuluar në port, por nuk përjashtohet mundësia që hapja të jetë bëre gjatë transportit apo qëndrimit në portet e tjera.

 

Ngarkesa ishte nisur nga Ekuadori më pas ishte ndalur në Kolumbi, në Spanjë, Itali e në fund në Durrës. Ishin punonjësit e kompanisë ata që konstatuan mungesën e arkave me banane.

 

Port i  Durrësit është një ndër pikat kryesore të trafikut të lëndëve narkotike. Gjatë viteve të fundit në ngarkesat me banane të porositura nga komani shqiptare janë zbuluar sasi të mëdha kokaine.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *