Nga Esido Barkaj
Autorët e plagosjes së katërfishtë, menjëherë pas të shtënave me breshëri plumbash në drejtim të mjetit luksoz tip ‘G-Class’, janë larguar me shpejtësi në drejtim të Elbasanit.
Dy autorët e dyshuar, pasi kanë dalë në autostradë, janë drejtuar drejt Elbasanit, por gjatë rrugës kanë devijuar në disa fshatra, ku edhe kanë humbur gjurmët.
Lexo edhe :
Related Posts
Hetuesit kanë dokumentuar përmes kamerave të sigurisë një pjesë të itinerarit të tyre pas atentatit, por për shkak se janë fshehur në rrugë dytësore rurale, kanë arritur të humbin gjurmët, duke përfituar nga mungesa e kamerave të sigurisë në këto zona.
Gjatë kohës që atentatorët kanë nisur të qëllojnë në drejtim të makinës, përveç shtatë gjurmëve të plumbave që janë gjetur në mjet, një tjetër plumb ka goditur një makinë tjetër që po lëvizte në afërsi. Drejtuesi i saj është larguar menjëherë nga frika, por më vonë ka njoftuar policinë.
Një tjetër pistë që po verifikohet nga policia është ajo e fajdeve, për të kuptuar nëse familja e dy fëmijëve të mitur që mbetën të plagosur është e përfshirë në këto skema të jashtëligjshme apo jo. Hetuesit dyshojnë se një përplasje me persona të tjerë, për shkak të borxheve të pashlyera, mund të jetë motivi i këtij atentati të rëndë.
Edhe në këtë pistë, e cila është ende në fazën e verifikimeve, grupi hetimor beson se autorët mund të kenë ngatërruar shënjestër, duke mos ditur se brenda mjetit ndodheshin shoferi i familjes Demiraj, dy djemtë e mitur dhe fqinji i tyre adoleshent.
Ndërkohë, një tjetër pistë që po hetohet nga Krimet e Rënda është ajo që vrasësit e dyshuar me pagesë mund të kenë pasur si shënjestër eliminimin e gruas së Roan Brahimit dhe jo familjen Demiraj. E veja e Brahimit jeton në vilat luksoze të Lundrës dhe zotëron një automjet të ngjashëm me atë në të cilin po udhëtonin katër personat e plagosur.
Roan Brahimi, i cili u ekzekutua në vitin 2024 në Athinë, në sy të një gruaje tjetër dhe të djalit të tyre të mitur, ishte një nga personat që kishte konflikte të ashpra me klanin e “mbretit” të lojërave të fatit, Ervis Martinaj. Madje dyshohet se pas vrasjes me tre viktima në Fushë-Krujë një prej tyre Brilant Martinaj si dhe pas ekzekutimit të Gentjan Bejtjas, qëndronte pikërisht Roan Brahimi. Këto krime mund të jenë kryer në kuadër të hakmarrjeve.
Mbrëmjen e së enjtes, në të njëjtën ditë që ndodhi atentati në Lundër, në Lezhë u vra babai i Roan Brahimit, Gjovalin Prendi. Gruaja e Brahimit është marrë në pyetje të premten nga policia e Tiranës. Ajo ka deklaruar se nuk ka asnjë ide se kush mund të jenë autorët e vrasjes së vjehrrit të saj apo ata të plagosjes së katër personave në Lundër. Megjithatë, ajo nuk e ka përjashtuar mundësinë që pas ngjarjes në Lezhë të qëndrojnë armiqtë dhe rivalët që kishte bashkëshorti i saj.
Dy fëmijët e mitur të familjes Demiraj, përkatësisht 17 dhe 11 vjeç, janë nisur për trajtim mjekësor më të specializuar në Itali. Në gjendje kritike për jetën vijon të jetë 11-vjeçari, i cili është prekur nga plumbi në disa organe jetike.
/vizionplus.tv