Subscribe

Në prag të zgjedhjeve të 7 majit në Kavajë, policia ka parashikuar çdo skenar të mundshëm. Për këtë në të gjitha drejtoritë e qarqeve, ka mbërritur një urdhër, sipas të cilit janë shpërndarë detyra konkrete për çdo sektor, ndonëse burimet thanë se përveç thirrjes së kreut të opozitës, deri tani nuk ka informacion për organizim të ndonjë tubimi.

 

Kështu forcat operacionale duhet të bëjnë të mundur evidentimin e elementëve kriminalë, por edhe verifikimin e mbledhjeve te grupimeve te ndryshme te cilat mund të udhëtojnë në Kavajë ditën e zgjedhjeve.

 

Për këtë, strukturat e rendit kanë marrë detyra për kontroll të imtësishëm e shoqërim te tyre. Nga ana tjetër, në Kavajë për ruajtjen e rendit ditën e zgjedhjeve kanë mbërritur efektivë shtesë nga të gjitha komisariatet e vendit.

 

Por disa nga efektivët janë të shqetësuar, pasi pritet të qëndrojnë në Kavajë deri në përfundim të procesit zgjedhor, në kohën kur nuk kanë marrë asnjë trajtim financiar.

 

Krahas tyre, për shkak se nuk ka një informacion të qartë në lidhje me situatën, specialistë nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë prej tre ditësh ndodhen në terren sëbashku me efektivë të antiterrorit.

 

Për të gjithë planin operacional pritet të angazhohen dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë, ndërkohë që e gjithë procedura do të zbatohet në përputhje me Kodin Zgjedhor.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *