Policia e Shtetit ka marrë në dorëzim Qendrën e parë për Çaktivizimin e Armëve të Vogla dhe të Lehta, një investim i realizuar në bashkëpunim me OSBE-në dhe partnerët ndërkombëtarë, që synon forcimin e sigurisë dhe parandalimin e keqpërdorimit të armëve në vend.
Gjatë ceremonisë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, e cilësoi ngritjen e kësaj qendre si një hap të rëndësishëm për sigurinë publike dhe përafrimin e Shqipërisë me standardet e Bashkimit Evropian.
“Ky moment lidhet drejtpërdrejt me sigurinë e fëmijëve tanë, që janë e ardhmja e këtij vendi dhe prioriteti ynë më i lartë”, u shpreh Hita.
Ai theksoi se bashkëpunimi katërvjeçar me OSBE-në po jep rezultate konkrete përmes krijimit të një infrastrukture moderne për çaktivizimin e armëve të zjarrit, forcimin e kuadrit ligjor dhe rritjen e kapaciteteve profesionale të strukturave të Policisë së Shtetit.
Sipas Hitës, projekti ka mundësuar harmonizimin e standardeve shqiptare me praktikat ndërkombëtare, zhvillimin e trajnimeve të specializuara, pajisjen me teknologji moderne dhe forcimin e mekanizmave të kontrollit për garantimin e sigurisë gjatë procesit të çaktivizimit të armëve.
Drejtori i Policisë nënvizoi gjithashtu se mbështetja e partnerëve ka ndikuar edhe në rritjen e kapaciteteve të njësive K9, përmirësimin e kushteve për strehimin e qenve të policisë dhe ngritjen e një klinike veterinare, e cila pritet të inaugurohet së shpejti.
Në fjalën e tij, Hita dha edhe shifra konkrete mbi luftën kundër armëmbajtjes pa leje në vend.
“Strukturat tona sekuestrojnë mesatarisht nga 650 deri në 700 armë të vogla e të lehta çdo vit, si dhe sasi të konsiderueshme municionesh, duke vënë përpara drejtësisë personat që i posedojnë në mënyrë të paligjshme”, deklaroi ai.
Kreu i Policisë së Shtetit theksoi se, krahas operacioneve policore, po vijojnë edhe fushatat ndërgjegjësuese në komunitet dhe shkolla për të parandaluar rrezikun që sjell mbajtja e armëve, veçanërisht tek të rinjtë.
Në përfundim, Hita garantoi se Policia e Shtetit do të vazhdojë të forcojë kapacitetet e saj dhe bashkëpunimin me partnerët ndërkombëtarë në luftën kundër krimit të organizuar dhe kërcënimeve ndaj sigurisë publike.





