209 masa administrative janë vendosur në qarkun e Korçës gjatë dy ditëve të fundit për drejtuesit e mjeteve të kapur me shkelje të rregullave të Kodit Rrugor. Burime zyrtare të Drejtorisë vendore të Policisë bëjnë të ditur se gjatë këtyre dy ditëve në terren kanë qenë dy grupe task force nga Tirana të cilët janë shpërndarë si në akset nacionale të qarkut, kryesisht nga Kapshtica në Qafë Thanë, por edhe brenda qyteteve duke vendosur 49 masa administrative në total. 4 leje drejtimi janë pezulluar për shkak të shkeljeve të rregullave të qarkullimit rrugor, 20 leje drejtimi janë tërhequr, ndërsa 1 person është arrestuar në flagrancë për përdorimin e pijeve alkoolike gjatë drejtimit të mjetit. Për shkak të mjegullës e cila prej disa ditësh ka rënë në zonën e Korçës njëri prej grupeve të task forcës i cili operonte me radar, e ka pasur të vështirë kryerjen e detyrës pasi mjegulla kufizonte mjaft fushëpamjen. Nga ana tjetër edhe sektori i qarkullimit rrugor të qarkut të Korçës ka qenë në terren duke kryer kontrolle me qëllim parandalimin e aksidenteve duke vendosur 160 masa administrative për shkelje të sinjalistikës horizontale e vertikale, mospërdorim të rripit të sigurimit, përdorimin e celularit, si dhe të tjera shkelje të parashikuara në Kodin Rrugor.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *